28 nëntori festa e flamurit dhe Republikës (Po troket)

 28 nëntori festa e flamurit dhe Republikës (Po troket)
  • 25 November 2015 - 09:59

Shkruan: Haki N.Bunjaku

Festa na gjen me sofër të zbrazur

Dy tiranët mesjetarë të shekullit modernë nuk të lëshojnë pa një të ligë

Festa jonë e Flamurit dhe e Republikës seriozisht e sinqerisht më fal që nuk munda të  jap lajme të gëzueshme, por s’i kemi se ka kohë që jemi leçitur nga gëzimi i jetës, nga rezultatet pozitive, nga puna e ndershme. Nëse pushtetarët bëjnë raport, bindu vetë se çka është rrena me dekret

Hapni portat, lironi pragjet!

Kjo ditë madhështore festive po vjen në të njëjtën kohë, minutë e orë dhe kurrë nuk vonon as nuk e shmang rrugën.

Nuk ndalohet nëpër postblloqe dhe as nëpër kufij, sepse ka pasaportën biometrike valide për të gjitha shtetet e botës.

Këtë rrugë e bënë që pesëqind vjet dhe kurrë lodhje, kurrë një qime të bardhë në flokët.

Prandaj vjen e hareshme, e re, me rininë e përjetshme.

Nuk e lagin shirat monotonë të vjeshtës, çadër ka një krinë zogjsh.

Puna është si dhe me çka ta presim ne.

Unë, besomë, të pres në sofrën e zemrës.

Deputetja jonë, Donika Kada-Bujupi, të përshëndet përmes grilave.

Pushteti shkërmoqet.

Nëntori ynë, me Festën krenari të kombit, mirë se na vjen edhe në këtë sofër të zbrazët, të udhëheqjes sonë të dështuar!

Kur s`kemi gjë tjetër, pos lamentit për copëtimin dhe faljen e tokave të Kosovës, mos më shih kusur.

Nuk jam unë fajtori.

Por, ata që hanë me nga dy lugë dhe nuk ngopen kurrë.

Fëmijët e mjeruar do të presin duke mbledhur kothere buke nëpër kontejnerët e mbeturinave.

Të tjerët duke mbledhur në hedhurina kavanozet dhe ndonjë copë metali, sa për ta nxjerrë bukën e gojës, mbase jo të mjaftueshme.

Flamurin e kemi një paçavure pa asnjë shenjë kombëtare.

Republikën e kemi vrarë pushkë hekuri, me dorën e tradhtisë.

Edhe simbolet janë varrosur thellë në ‘ndërgjegjen’ e politikanit të sojit renegat.

Kuvendi arenë lufte e të kundërtave. Në krye të tij një drejtor deri dje i SHIK-ut.

Mos shko asajde se të gjuajnë me vezë, të ngulfatin me tymin helmues dhe të sakaton Policia speciale e Isa Prapashticës dhe e Hashim Brojes.

Ndodh edhe të të burgosin. Ku pe di!

Dy tiranët mesjetarë të shekullit modernë nuk të lëshojnë pa një të ligë.

Në kryeministri dy tradhtarë me damkë.

Shpërndajnë dhunë e padrejtësi.

Presidentja sa për reprezentacion dhe ngulitje në shtyllat e gazetave. Politikës i ka lënë rrugë të lirë, edhe pse ajo politikë kurrë nuk është në rrugë.

Puna bërllok, lesh arapi.

Qysh kur kryeministria “pelën” nga bishti e kapi.

Një skotë mjeranësh nuk e deshën Flamurin Dardan.

Ia dhanë flakën në mes të Prishtinës. Ani thirrën në OLV, ku si ka promovuar askush, kurse në fakt zbatojnë planet e Serbisë.

Dr. I Rugovën e luftojnë për së vdekuri. Çmenduri.

Xhepat mbaji të mbërthyer se, për marre të Zotit, të vjedhin. E kanë mësuar dorën ashtu.

Varfëri e mjerim.

Skutë e skaj terrenit të tkurrur.

Hasmëri deri në likuidim.

Festa jonë e Flamurit dhe e Republikës seriozisht e sinqerisht më fal që nuk munda të  jap lajme të gëzueshme, por s’i kemi se ka kohë që jemi leçitur nga gëzimi i jetës, nga rezultatet pozitive, nga puna e ndershme.

Nëse pushtetarët bëjnë raport, bindu vetë se çka është rrena me dekret.

Ne jemi mbetur krejt cullak dhe nuk mund t`i fshehin as elementet njerëzore të turpit që duhet të mbulohen.

Festa nuk pritet me lament, por realiteti pelin i hidhur dikton ashtu.

Mbase dikush, në ingranazhet e regjimit, do ta quaj këtë pasqyrë të gjendjes faktike: Luftë kundër shtetit e pushtetit (defetizëm).

Kjo është krejt në të drejtën e ndërgjegjes së tij.

Unë nuk lëviz nga qëndrimi im, ku faktet flasin.