Pse po kritikohet Disney për xhirimet e filmit Mulan?

  • E.K /
  • 08 September 2020 - 14:06
Pse po kritikohet Disney për xhirimet e filmit Mulan?

Kompania Disney është duke u përballur me kritika të ashpra për xhirim të filmit të ri Mulan në disa pjesë të Kinës, ku qeveria akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut.

Në titrat e fundit të filmit falënderohet një agjenci qeveritare e sigurisë në provincën Ksinjiang, territor në të cilin rreth 1 milion persona – kryesisht myslimanë ujgurë – besohet se janë të ndaluar.

Ky film veçse ka qenë shënjestër e bojkotit, pasi aktorja kryesore, Liu Yifei ka përkrahur shtypjen e protestave në Hong Kong.

Disney nuk i ka komentuar reagimet rreth lokacionit dhe falënderimit në titra.

Kina ka thënë se kampet e saj të ndalimit në Ksinjiang janë të domosdoshme për të përmirësuar sigurinë.

Filmi i kategorisë aksion, që përbën një prej publikimeve më të mëdha të këtij viti në fushën e artit, është rikrijim i tregimit të animuar të vitit 1998, të një vajze të re që zë vendin e babait të saj në ushtri.

Mirëpo shumë persona në shtetet aziatike kanë bërë thirrje për bojkot pasi aktorja e lindur në Kinë, Liu Yifei, ka mbështetur policinë e Hong Kongut, që është akuzuar për dhunë kundër protestave pro-demokratike në muajt e fundit.

Thirrje për bojkotim të filmit Mulan.

Ndërkohë të hënën, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë vërejtur se në fund të filmit, Disney falënderon një varg subjektesh qeveritare në Ksinjiang, duke përfshirë byronë për siguri publike në qytetin Turpan dhe një departament të publicitetit në rajonin e ujgurëve në Ksinjang.

Eksperti për Kinën, Adrian Zenz ka thënë për BBC-në se byroja për siguri publike në Turpan është e angazhuar në kampet e “riedukimit” në Kinë, në zonat ku mbahen ujgurët.

Ai ka thënë se “departamenti i publicitetit” që përmendet nga Disney, është përgjegjës për prodhim të propagandës shtetërore në këtë rajon.

Besohet se viteve të fundit rreth 1 milion ujgurë janë ndaluar me forcë nëpër kampe të stilit të burgjeve të sigurisë.

Në disa rrjedhje të informacionit është kuptuar se të mbijetuarit e kampeve kanë thënë se të burgosurit janë të mbyllur, të indoktrinuar dhe të ndëshkuar.

Këto pretendime Kina i ka konsideruar “lajme të rreme”.

Mes tjerash, Zenz e ka përshkruar Disneyn si “korporatë ndërkombëtare që ka përfituar në hije të kampeve të koncentrimit”.

Kongresi botëror për ujgurët ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter:

“Në Mulanin e ri, Disney falënderon byronë për siguri publike në Turpan, e cila ka qenë e përfshirë në kampet e internimit në Turkistanin Lindor”.

Aktivisti Shawn Zhang po ashtu ka kritikuar kompaninë, duke shkruar “sa mijëra ujgurë janë vënë nëpër kampe nga byroja për siguri e Turpanit kur është filmuar Mulan atje?”

Zenz pretendon se të dhënat më të hershme të punës për “riedukim” të ujgurëve në Turpan, datojnë nga gushti i vitit 2013.

Në muajin qershor, ai pati lansuar një raport, i cili ka shpërfaqur të dhëna se Kina ka detyruar gratë e komunitetit ujgur që të sterilizohen apo të vendosin pajisje kontraceptive, praktikë të cilën Kina e mohon.

Kina ka thënë se është duke luftuar “tri forca djallëzore” të separatizmit, terrorizmit dhe ekstremizmit në Ksinjiang dhe ka deklaruar se kampet janë shkolla vullnetare për trajnim kundër ekstremizmit.

Më 2017, regjisori i filmit Mulan, Niki Caro ka postuar disa fotografi në Instagram nga kryeqyteti i Ksinjangut.

Ekipi që ka qëndruar mbrapa filmit po ashtu ka thënë për një revistë se ka kaluar disa muaj në Ksinjiang për të kryer kërkime rreth lokacioneve të xhirimit.

Aktivisti pro-demokracisë në Hong Kong, Joshua Wong, po ashtu ka dënuar Disneyn, duke thënë se shikuesit e filmit “janë potencialisht bashkëpunëtorë të burgosjeve masive të ujgurëve”.

Në korrik të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar 11 kompani kineze në listën e zezë të subjekteve që abuzojnë me të drejtat e njeriut në provincën, Ksinjiang.

Departamenti amerikan i Tregtisë pati thënë se kompanitë e futura në listë të zezë, i kanë detyruar ujgurët dhe të tjerët të bëjnë punë të ndryshme.

Ato përfshijnë kompani të tekstilit dhe teknologjisë, si dhe dy firma për kryerjen e analizave gjenetike, që përdoren për të shtypur grupet e pakicave.

“Pekini promovon në mënyrë aktive praktikën e qortueshme të punës së detyrueshme dhe të skemave abuzive të mbledhjes dhe analizimit të ADN-ve, për të shtypur qytetarët e saj”, pati deklaruar sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross.

SHBA-ja paraprakisht ka futur në listë të zezë edhe 37 kompani tjera kineze, për arsye të ngjashme.

(Kosova Sot Online)