Dardha nën dardhë bie. Kush është Skënder Kapiti

  • A.P /
  • 19 May 2026 - 11:37
Dardha nën dardhë bie. Kush është Skënder Kapiti

Nga Prof. Eshref Ymeri

Kush është Skënder Sadri Kapiti
(Nacionalizmi, si ideologji, i ka rrënjët në edukatën familjare)

Sot, në Shqipërinë londineze, në mjetet e informimit masiv, në tekstet
shkollore dhe universitare, nuk haset kund termi nacionalizëm. Jo vetëm kaq,
por edhe kur përmendet, ky term shoqërohet me një mbiemër shpotitës:
nacionalizëm folklorik. Por njëherë e një kohë, kur komunistët nuk kishin dalë
në skenën e historisë shqiptare, ky term ishte mjaft i respektuar. Madje, për
lartësimin e kuptimit të këtij termi, ishin të interesuara drejtpërsëdrejti
strukturat më të larta të shtetit shqiptar, deri te vetë Mbreti Ahmet Zogu. Dhe
një interesim i tillë nuk ishte i rastësishëm. Sepse nacionalizmi, në thelb,
përfaqëson në vetvete një ideologji dhe një orientim të politikës, që ka si parim
themelor tezën për vlerën e kombit, si formën më të lartë (më supreme) të
unitetit shoqëror në procesin e shtetformimit. Nacionalizmi, si një lëvizje
politike, ka si pikësynim mbrojtjen e interesave të bashkësisë kombëtare në
raport me pushtetin shtetëror. Në themelin e vet, nacionalizmi predikon
besnikërinë ndaj kombit, pavarësinë politike dhe punën në të mirë të popullit,
ngritjen kulturore dhe shpirtërore të tij, forcimin e vetëdijes kombëtare për
mbrojtjen e kushteve të jetesës së kombit, të territorit ku ai banon, të
resurseve ekonomike dhe të vlerave shpirtërore. Ai mbështetet mbi ndjenjën
kombëtare, e cila do të thotë atdhetari. Si ideologji, nacionalizmi ka për qëllim
të bashkojë shtresat e ndryshme të shoqërisë, pavarësisht se ato mund të
kenë edhe mospërputhje interesash.

Në veprën e një historiani të njohur, thuhet:

“Mbreti Zog kishte merak të madh edukimin e fëmijëve të shkollave me
ndjenja patriotike e nacionaliste. Më 1927, Ministria e Arsimit shpalli konkurs
kombëtar për tekstin më të mirë për “Patriotizëm e nacionalizëm”; konkursin e
fitoi Kristo Floqi, një intelektual mjaft i njohur i kohës, dhe me leje nr. 1290,
datë 24.XI.1927, botohej teksti i tij “Patriotizëm dhe nacionalizëm”, i detyruar
“Për shkollat publike e private të shtetit. Tiranë 1928”, shkruhet në faqen e
parë të tekstit. Është tekst shumë i mirë që edhe sot, nga të rritur e të rinj, do të
lexohej me kënaqësi” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha në optikë të
re”. Shtëpia Botuese UEGEN. Tiranë, 2013, f. 206).

Në vazhdim, dr. Vasfi Baruti, nga libri në fjalë, ka shkëputur një fragment mjaft
domethënës:

“… Po cili është atdheu juaj? Atdheu juaj s’është kodra ose fusha e
katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit tuaj, minaretë ose kambanoret
kryepërpjeta, oxhakët e shtëpive ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është
Shkodra për korçarin, Korça për kosovarin, Kosova për kolonjarin, Kolonja
për hotasin e grudasin, Hoti e Gruda për devollasin, Devolli për bregdetasin
dhe çamin, dhe Çamëria e Himara për dibranin e lumjanin. Atdheu juaj është
gjithë Shqipëria ku flitet, si thamë, gjuha e lehtë zanore shqipe dhe ku jetojnë
shqiptarë; është gjaku ynë, ai gjak i vlerët që kanë derdhur gjyshstërgjyshët
tanë mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij; është bashkimi ynë dhe ndjenja
e dëshira për një rrojtje të lirë e të panjollë; është qielli i bukur e i kaltër që
mbulon Shqipërinë; është dielli i flakët dhe i ëmbël që ndriton Shqipërinë;
është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlak zallet e Shqipërisë; janë
fushat e malet e kodrat e bregoret e pllajat e lumenjtë e kulluar të Shqipërisë.
Atdheu është kombi ynë, të cilin kemi detyrë ta duam e ta ndërtojmë e ta
mbrojmë me mish e me shpirt kundër çdo mësyesi e invadori dhe të mos lëmë
kurrë asnjë pëllëmbë dheu të shkelet prej thundrës së një të huaji. Ky duhet të
jetë programi e ideali juaj, o djelmosha!...” (po aty).

Shovinizmi europian, nën diktatin e shovinizmit kriminal rus, në
Kongresin e Berlinit të vitit 1878 dhe në Konferencën e Ambasadorëve të vitit
1913 në Londër, na copëtoi trojet etnike për llogari të serbogrekëve, armiqve
tanë shekullorë. Prandaj edhe tani, pas 113 vjetësh, trojet tona etnike, si të
asnjë kombi tjetër në mbarë rruzullin tokësor, vazhdojnë të mbeten të
copëtuara në 6 shtete.

Në këto kushte, ideologjia nacionaliste duhej të shërbente si yll karvani
për orientimin e krerëve politikë drejt një objektivi të përbashkët: ribashkimit të
trojeve tona etnike në një shtet të unifikuar, me një stemë dhe një flamur
kombëtar.

Është shkruar e ç’nuk është shkruar për themelimin e Partisë
Komuniste të Shqipërisë. Por, sipas burimeve arkivore partiake, me të cilat dr.
Vasfi Baruti është njohur nga afër, rezulton një e vërtetë tragjike. Në
mbledhjen themeluese të 8 nëntorit 1941, qe aprovuar një rezolutë, të cilën
e patën përgatitur paraprakisht Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Pikërisht në atë rezolutë “mbillet, që atë natë, fara e helmët e rrezikshmërisë
që vjen nga nacionalizmi shqiptar për Shqipërinë natyrale”, dhe rezoluta
publikohet për herë të parë po nga Hoxha në shkrimin e tij kushtuar Titos në
revistën “Shqipëri-Jugosllavi” (nëntor 1947)” (po aty, f. 229).

Të vërtetën tragjike për rrezikshmërinë që vjen nga nacionalizmi
shqiptar e pranon edhe biografi i Titos, V. Dedijer, në librin me titull
“Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri”, 1949, f. 25 (po aty, f. 255).

Dhe dr. Vasfi Baruti vjen në një përfundim logjik:

“Fara e helmët e kundërnacionalizmit që u hodh në mbledhjen
themeluese të Partisë, prodhoi fryte të helmëta për “dekorimin” me plumb pas
shpine të qindra nacionalistëve gjatë luftës e pas lufte; me “rrezikun” e
nacionalizmit u përgatit edhe strategjia për qëndrimin antikombëtar ndaj
Kosovës, në interes të politikës kolonialiste të Titos” (po aty, f. 256).

Pra, Partia Komuniste e Shqipërisë, e themeluar nga emisarët e Titos –
Popoviçi dhe Mugosha – s’ishte gjë tjetër veçse një agjenturë në shërbim të
Jugosllavisë titiste. Shovinizmi serbosllav, ashtu si edhe Titoja, përgatiti dhe
zbatoi në Dardani të njëjtin skenar për krijimin e së njëjtës agjenturë, me në
krye Hashim Thaçin, agjentin e rekrutuar nga shërbimi sekret francez për
llogari të Serbisë fashiste. Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi në praktikë se të dy
skenarët, e përgatitur nga Beogradi, funksionuan si mos më mirë gjatë dhe pas
luftës për vrasjen e nacionalistëve në Shqipëri, si edhe gjatë dhe pas luftës
për vrasjen e nacionalistëve në Dardani.

Në këto kushte, duhej të kishte qenë e domosdoshme lindja e
ideologjisë nacionaliste në të dy shtetet shqiptare, duke e vlerësuar si një
domosdoshmëri historike në Shqipëri pas shembjes së sistemit komunist dhe
pas shpalljes së pavarësisë së Dardanisë më 17 shkurt 2008. Në Republikën
e Dardanisë, pas largimit nga pushteti të bandës tradhtare të Hashim Thaçit,
në skenën politike dolën dy personalitete me formim të shkëlqyer nacionalist –
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, çka është një ogur i mirë për mbarë kombin
shqiptar. Megjithatë, për fatkeqësinë tonë kombëtare, opozita në Republikën e
Dardanisë, si besnike e tradhtisë thaçiste, vazhdon të luajë rolin e agjenturës
së Serbisë fashiste. Ndërkohë, në Tiranë, partia në pushtet ka qenë dhe
vazhdon të mbetet trashëgimtare e tradhtisë së argatit të Beogradit, Enver
Hoxha, çka mishërohet më së miri në figurën e kryeministrit Rama, si tradhtar i
Republikës së Dardanisë dhe argat i Serbisë fashiste.

Në këto kushte, roli i intelektualëve, të edukuar në frymën e
nacionalizmit, është i një rëndësie të jashtëzakonshme për mbarë kombin
shqiptar.

Një personalitet i tillë, i mirënjohur në fushën e ideologjisë
nacionaliste, është intelektuali shumë i respektuar dardan, Skënder Kapiti.

U bënë vite të tëra që ky intelektual me brymosje nacionaliste shembullore,
vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje të kombit
shqiptar nga shovinizmi serbogrek dhe nga zuzarët politikë të të gjitha
ngjyrave. Nuk ishte aspak rastësi dalja në mbrojtjen dhe propagandimin e
ideologjisë nacionaliste nga ana e këtij intelektuali të shquar. Është pikërisht
ky intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, me një arsimim dhe kulturë të
gjerë në fushën e jurisprudencës dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili
është bërë flamurtar i nacionalizmit shqiptar. Sepse, siç pati thënë dikur
intelektuali i ndjerë, diplomati Abdi Baleta, “vetëm nacionalizmi e shpëton
kombin shqiptar”.

Atdhetari model Skënder Kapiti dha një kontribut të madh në Durrës,
ku lokali i Kapitëve pati shërbyer si një nyjë lidhëse mes diasporës dardane
dhe Dardanisë gjatë luftës. Në atë lokal u pritën nga diaspora dhe u përcollën
drejt kufirit qindra e qindra trima dardanë, për të shtuar radhët e UÇK-së në
luftë kundër ushtrisë fashiste serbe. Vetë Skënder Kapiti u rreshtua në radhët
e asaj ushtrie dhe sot gëzon statusin e veteranit të nderuar të saj.

Si autor i disa librave me tema të mprehta atdhetarizmi, Skënder
Kapiti ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të shquar me publicistikën e
tij nacionaliste. Analizat e tij, të botuara në qindra e qindra artikuj në faqet e
internetit, kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si një “universitet” i
edukimit nacionalist.

Personaliteti i këtij intelektuali ka ardhur dhe është ngritur mbi një truall
tejet të shëndoshë për edukimin dhe formimin e tij nacionalist. Ai ka lindur,
është rritur dhe është edukuar në një familje me tradita të shkëlqyera
atdhetarizmi. Prindërit e tij patën lindur dhe e patën kaluar rininë në Dardani,
por, kur atje qe vendosur diktatura e egër titisto-rankoviçiane, ata u larguan
nga vendlindja dhe erdhën në Durrës, ku Skënderi pati lindur në vitin 1959.
Pikërisht babai i tij i nderuar, patrioti i njohur Sadri Kapiti, ishte ai që i pati futur
në gjak të birit që në fëmijëri frymën nacionaliste, dashurinë për Dardaninë,
frymën e atdhetarizmit, çka pati ndikuar drejtpërsëdrejti për rrënjosjen e
ndjenjave nacionaliste në vetëdijen e këtij publicisti me emër në mbarë trojet
shqiptare. Pikërisht në saje të asaj edukate të mrekullueshme, kombi shqiptar
ka sot një intelektual kaq të formuar, kaq të përgatitur dhe kaq të vendosur në
mbrojtje të Çështjes Kombëtare Shqiptare, ende të pazgjidhur në Gadishullin
Ilirik.

Domosdo, dardha nën dardhë bie. Është pikërisht Skënder Kapiti ai që
është radhitur fuqimisht në mbrojtje dhe në përkrahje të kryeministrit Albin
Kurti, si figura më emblematike në radhët e politikanëve shqiptarë. Artikujt
analitikë të Skënder Kapitit shërbejnë si thirrje për mbarë kombin shqiptar
për t’u rreshtuar vendosmërisht rreth Albin Kurtit, si kryetar i Lëvizjes
Vetëvendosje, formacion politik ky në mbrojtje të nacionalizmit shqiptar.

Nuk është rastësi që Dardania, tradicionalisht, ka pasë shërbyer si
“Tanku i kreut” në mbrojtje të interesave jetike të kombit shqiptar, prandaj
edhe nga ai truall kanë dalë kryeministri Albin Kurti dhe intelektuali Skënder
Kapiti, të formatit nacionalist.

Para më shumë se pesë vjetësh, kam theksuar në internet:

“Do të ishte një mrekulli e vërtetë që intelektuali i shquar nacionalist
Skënder Kapiti të gëzonte mandatin e deputetit dhe të ndodhej në Kuvendin e
Ri të Kosovës pranë Albinit dhe Vjosës”.

Le të shpresojmë që intelektualin nacionalist Skënder Kapiti ta
shikojmë një ditë deputet në Kuvendin e Dardanisë.

(Kosova Sot Online)