Ky nëntor e sjell Idriz Seferin në qytetin e tij
RRUGËTIMI I PAPËRFUNDUAR I NJË KALORËSI
Sipas rrëfimeve, në Gjilan një femër vetë i kishte çarmatosur katër ushtarë turq
Konsulli francez në Shkup raportonte se "ushtarëve osmanë u ka hyrë frika në palcë. Ata mendojnë se pas çdo shkëmbi fshihet një shqiptar"
Nëntori do ta sjellë Idriz Seferin në Gjilan. Festat e këtij muaji do t'i kushtohen kryetrimit të Karadakut, ndërkohë që kërkesa e historianëve për ndërtimin e shtatores së tij ka gjetur përkrahje te kreu i Komunës, Lutfi Haziri, i cili ka thënë se secili personalitet që kanë dhënë shumë për kombin do të ketë shtatore në vendin meritor. "Gjilani ka shumë familje për të nderuar, por tashti që së shpejti është përvjetori i Idriz Seferit, ky personalitet do t'i kthehet Gjilanit në qendër të qytetit, ndërkohë që do të zhvarrosen edhe eshtrat e tij në Zhegër dhe do të rivarrosen në varrezat e dëshmorëve në Gjilan", ka thënë Haziri. Sipas historianëve, ai kishte insistuar për shpalljen e pavarë- sisë së shqiptarëve në Shkup, por se çka kishte ndodhur që ky plan kishte dështuar, e vërteta mbetet të hulumtohet. Duket se kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes kryengritësve të asaj kohe. Megjithatë, Idriz Seferi mbetet njëri ndër udhëheqësit kryesorë të luftës për çlirimin dhe mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit osmanë, serbë, bullgarë e të tjerë, si dhe për bashkimin e viseve shqiptare në një shtet kombëtar. Vdiq i mërzitur që nuk e kishte arritur këtë, me fjalët "Tërë jetën time jam munduar ta bëj një Shqipëri, por zor qenka". Megjithatë, shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe Idriz Seferi. "Kalorësi i Karadakut" është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës, bashkë me Isë Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, shkruan gazeta Kosova Sot.
Luftojnë djemtë e Idriz Seferit
Njihet si organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare. Kushtrimit të Idrizit populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij. Edhe pushtuesit i njihnin mirë aftësitë e Idriz Seferit, prandaj i kishin ofruar të gjitha privilegjet, nëse do të bashkëpunonte me ta, por Idrizi nuk kishte pranuar. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë, Qazimin dhe Ramadanin, në Akademinë Ushtarake, ai i ishte përgjigjur duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende. Historiani Fitim Rifati, ka thënë se Idriz Seferi ishte komandant i kryengritjeve dhe lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe mbetet figura më emblematike e luftës për çlirimin e viseve shqiptare. Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi me çetat e tij e mundi edhe ushtrinë osmane në Kaçanik. Dokumentet e kohës provojnë se gjatë javës së parë të muajit maj 1910, pati përleshje të shumta të armatosura ndërmjet kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga strategu i shquar Idriz Seferi e të tjerë me ushtrinë osmane në shumë fshatra të Moravës së Epërme, në Karadak dhe në Grykën e Konçulit. Lidhur me ashpërsinë e kësaj lufte konsulli serb në Shkup në raportin e tij shkruan: "Gjykuar sipas luftimeve te Guri i Shpuem dhe të Gjurgjedolli e te Nikoci, shqiptarët e Gjilanit kanë bërë rezistencë të ashpër, e cila deri më tani është rezistenca më e fortë". Nga memoaret e pjesëmarrësve të ngjarjeve del se Beteja e Drenogllavës konsiderohet si më e përgjakshmja, pas asaj në Grykën e Kaçanikut. Kësaj ngjarje i janë kushtuar edhe këngë, ku madhërohen luftëtarët shqiptarë (djemtë) të Idriz Seferit. Edhe historiani turk, Sylejman Kylçe, pohon se këtu ishte zhvilluar një beteje e rreptë, me ç'rast ushtria osmane kishte humbur 8 oficerë dhe 113 ushtarë.
Pas çdo shkëmbi ishte një shqiptar
Përleshje ishin zhvilluar edhe në Korbliq, në Komogllavë, pastaj te Udha e Kuqe dhe gjithandej. Për sukseset e kryengritësve shqiptarë në këto luftëra, dëshmojnë raportet e konsujve serbë në Shkup dhe Prishtinë. Kështu, konsulli Rakiq, i njofton eprorët e vet se në Rrethin e Gjilanit, tani e tri ditë rresht po zhvillohen luftime të ashpra, duke potencuar heroizmin dhe moralin e lartë luftarak të kryengritësve shqiptarë, të cilët, te fshati Smirë e kishin thyer ushtrinë osmane me katër batalione, kishin zënë rob shumë ushtarë me armë e municione, topa si dhe tenda e komandantit. Përleshje të ngjashme, ku shqiptarët i sulmonin njësitë ushtarake, pati edhe te Goshica, Sadovina, Binça, Seferët, Kurbalitë, në afërsi të Pozharanit e gjetiu. Kështu, duke i parë sukseset e palës tjetër, morali i ushtarëve osmanë për luftë kundër shqiptarëve, kishte rënë. Konsulli francez në Shkup raportonte se "ushtarëve osmanë u ka hyrë frika në palcë. Ata mendojnë se pas çdo shkëmbi fshihet një shqiptar". Veçohen guximi dhe aftësitë strategjike të udhëheqësve të kryengritjes, në radhë të parë të Idriz Seferit, i cili dy herë zyrtarisht ishte shpallur i vrarë. Për këtë kishin shkruar edhe gazetat e kohës. Megjithatë, siç deklaron konsulli Rakiq, "Idriz Seferi është kah ndihet shumë mirë dhe se në të gjitha luftërat është treguar trim dhe prijës i shquar ushtarak". Në luftën e Kaçanikut kishin marrë pjesë edhe gra. Në një dokument të asaj kohe theksohet se "në Gjilan, një femër vetë i çarmatosi katër ushtarë turq". Pjesëmarrja masive e të gjitha shtresave të popullatës shqiptare në këtë kryengritje, bëri që shtypi i huaj të konstatonte se e tërë kjo i përngjante një revolucioni gjithëkombëtar. E, kryengritësi i parë i këtyre betejave, në këtë nëntor do të pritet në Gjilan.
(Kosova Sot)
