Anuluan dasmën e tyre të madhe me 550 të ftuar, shkaku i pandemisë

  • E.K /
  • 01 gusht 2020 - 16:04
Anuluan dasmën e tyre të madhe me 550 të ftuar, shkaku i pandemisë

Gjithçka ishte e planifikuar: muzika, kameramani, aktorët, tupanët, balerinat, violinisti, ftesat… Pastaj erdhi pandemia dhe u desh të hiqej dorë nga të gjitha.

Roberti dhe Diana jetojnë në Luzern të Zvicrës. Që të dy, vendlindje e kanë Kosovën, ku këtë vit kishin planifikuar të bënin dasmën e tyre.

Restoranti në Prishtinë më datë 21 korrik 2020 ishte i rezervuar vetëm për çiftin dhe për afro 550 të ftuarit e tyre, mirëpo pandemia përmbysi të gjitha këto plane. 50% të ftesave ishin shpërndarë, por fatkeqësisht kjo shpërndarje nuk do të vlejë për këtë vit.

Gjithçka ishte e planifikuar, duke filluar nga muzika, kameramani, aktorët, tupanët, tarabukët, balerinat, violinisti, dekori, ftesat dhe shumë detaje të tjera të dasmës.

“Ishim bërë gati për dasmën e madhe”

Diana kishte bërë gati vellon e saj të bardhë, të cilën do ta veshte në ditën e saj speciale e të rëndësishme. Sipas saj, pothuajse çdo gjë kishte qenë gati, por rrethanat ndryshuan shpejt.

“Nuk e prisja që diçka e tillë të ndodhte, ne ishim bërë gati për dasmën tonë të madhe në këtë verë”, thotë ajo.

Situata e krijuar në gjithë botën bëri që çifti të vendosë të anulojë dasmën, duke menduar për të mirën e tyre dhe të rrethit. Kjo dasmë parashihte të kishte një numër te madh të të ftuarve, andaj kjo mund të përbënte rrezik për shëndetin e tyre.

“Kemi marrë shumë telefonata nga të afërmit tanë, të cilët kanë qenë shumë të frikësuar nga kjo pandemi dhe kanë shprehur frikë për ardhjen në dasmë”, shprehet Roberti.

Çifti potencon që anulimi ishte një vendim i vështirë për tu marrë, duke ditur që do të ishte dita më speciale në jetën e tyre.

Mirëkuptim për anulimin e dasmës

“Ky lajm nuk ishte i lehtë, edhe miqtë tanë të ngushtë e familjarët nuk e pritën mirë, mirëpo të gjithë u pajtuan që ishte zgjidhja më e mirë dhe ishte vendim që e kemi menduar shumë”, thonë Roberti dhe Diana.

Askush nuk do të dëshironte që pandemia të zinte vend në botë e të ndryshonte jetën tonë, mirëpo ka gjithmonë shpresë e zgjidhje, e kjo sigurisht vlen edhe për çiftin në Zvicër.

Roberti dhe Diana dasmën do ta planifikojnë prapë nga fillimi në vitin e ardhshëm.

“Shpresoj që të jemi shëndosh e mirë të gjithë dhe në vitin 2021 e të organizojmë dasmën nga fillimi”, shtoi Roberti.

Rrethanat aktuale nuk mund t’i ndryshojë jo vetëm çifti nga Luzerni, por edhe shumë njerëz të tjerë të cilët janë detyruar të anulojnë ceremoni të ndryshme.

(Kosova Sot Online)