Kryeministri Hoti: Prej sot punoj nga zyra, jam shëruar plotësisht nga COVID-19

  • G.G /
  • 19 August 2020 - 12:38
Kryeministri Hoti: Prej sot punoj nga zyra, jam shëruar plotësisht nga COVID-19

I pari i ekzekutivit kosovar, Avdullah Hoti, sot ka dalë në zyrën e tij pas më shumë se dy javëve izolim. Hoti është shëruar dhe e ka kaluar me sukses virusin COVID-19. Kështu ka njoftuar vetë Hoti përmes një statusi në Facebook.

“Pas dy javësh trajtimi mjekësor dhe në izolim, sot u jam kthyer detyrave në zyrë i shëruar plotësisht nga Covid-19. Bashkëndiej dhe u dëshiroj shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje sërish, të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë në përpikëri masat për mbrojtje nga COVID-19. Ka ende qytetarë që nuk besojnë se virusi ekziston dhe kjo është shqetësuese. Numri i rasteve me të infektuar dhe viktima vazhdon të jetë i lartë, prandaj derisa të zbulohet vaksina, ne duhet të tregojmë kujdes të shtuar”, thuhet në njoftimin e Hotit.

“Bashkë me kabinetin, jemi të vendosur më shumë se kurrë që ta shtyjmë përpara agjendën e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe t’u qëndrojmë pranë qytetarëve e bizneseve në ballafaqimin me pasojat e shkaktuara nga pandemia. #Bashkë #vendosemasken”, shkruan ai.

Ndryshe, shumë zyrtarë të shtetit tashmë janë infektuar me Covid-19. Megjithëkëtë, në raportimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit në raportet ditore, numri i personave të infektuar është duke u ulur ndjeshëm dita-ditës. 

(Kosova Sot Online)