Hoti e qetëson Ramosajn në Qeveri, dakordohen për ndaljen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë

  • E.K /
  • 19 August 2020 - 14:22
Hoti e qetëson Ramosajn në Qeveri, dakordohen për ndaljen e punimeve në rrugën Deçan-Plavë

Pas disa përplasjeve në distancë për punimet në rrugën Deçan-Plavë janë takuar sot në qeveri të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar t’i përkrahë komunat e vendit për realizimin e projekteve të tyre zhvillimore”, citohet të ketë thënë kryeministri Avdullah Hoti gjatë një takimi që pati sot me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në njoftimin e nisur nga Qeveria.

“Duke e vlerësuar edhe një herë rëndësinë e rrugës që lidh Deçanin me Plavën, përkatësisht Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, kryeministri Hoti ritheksoi se duhet të respektohet legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por, po ashtu, duhet të kihet parasysh edhe rëndësia e kësaj rruge për ekonominë dhe cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit dhe më gjerë”, thuhet tutje.

Nga Qeveria bëjnë të ditur se Hoti dhe Ramosaj janë dakorduar për pezullimin e punimeve në këtë rrugë.

“Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të dakorduar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, kryeministri Hoti dhe kryetari Ramosaj u pajtuan që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

(Kosova Sot Online)