Haziri e Likaj konfirmojnë përgatitjet maksimale për fillimin e rregullt të mësimit

  • E.K /
  • 20 gusht 2020 - 13:48
Haziri e Likaj konfirmojnë përgatitjet maksimale për fillimin e rregullt të mësimit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në takim pune ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ku temë kryesore e takimit ishte përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në takim u konfirmua se po punohet maksimalisht që mësimi të filloj i rregullt me prezencën fizike të nxënësve dhe mësimdhënësve nëpër shkolla, i planifikuar mirë përmes tre skenarëve me specifika të ndryshme, jo vetëm për Komuna të caktuara, por edhe për shkolla.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në fjalën e tij, ka falënderuar ministrin Ramë Likaj dhe kryetaren e Komisionit Parlamentar për Arsim, Valentina Bunjaku-Rexhepi për vizitën, duke i njoftuar për të ëgjitha përgatitjet që deri më tani i ka bërë Komuna e Gjilanit dhe task-forca për arsimin.

“E kam njoftuar ministrin Likaj për të gjitha përgatitjet që I ka bërë Komuna e Gjilanit me Drejtorinë e Arsimit, por gjithashtu edhe për sfidat që do të na presin brenda këtij viti shkollor, infrastrukturën shkollore, mësimin profesional dhe çështje tjera që janë në interes të zhvillimit të arsimit, si prioritet kryesor në Komunën e Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa, ministri Ramë Likaj, ka potencuar se janë të vendosur që mësimi të filloj normalisht, duke i zbatuar të gjitha kriteret e parapara në manualin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Me kryetarin Haziri jemi në takimin e rregullt për përgatitjet institucionale në fillimit e vitit shkollor në kushte pandemie. Presim së shpejti publikimin e vendimit dhe datën kur do të filloj mësimi. Në këto kushte pandemie, jemi shumë të kënaqur me përgatitjet për fillimin e mësimit. Gjithashtu, kemi biseduar edhe për angazhimin e mësimdhënësve rezervë dhe studentëve të Fakultetit të Edukimit në priocesin mësimor. Kemi tre skenar, të cilët janë në funksion në bazë të gjendjes me pandeminë, i fundit është ai për mësimin në distancë, por do të punohet që mësimi të mbahet në shkolla me masa mbrojtëse dhe kujdes maksimal”, ka thënë mes tjerash ministrymi Likaj.

(Kosova Sot Online)