Mbi 1.200 punëtorë shëndetësorë të prekur me COVID-19 në Kosovë, 7 mjekë kanë vdekur

  • A.P /
  • 20 August 2020 - 20:55
Mbi 1.200 punëtorë shëndetësorë të prekur me COVID-19 në Kosovë, 7 mjekë kanë vdekur

Gjinekologu Burim Krasniqi është një prej 7 mjekëve të vdekur si pasojë e infektimit me COVID-19.

Krasniqi, së fundmi ishte në kujdes intensiv, por nuk arriti të shërohej dhe vdiq të mërkurën.

Që nga shfaqja e pandemisë, mbi 1.200 punëtorë shëndetësorë janë infektuar me koronaviru

Vetëm gjatë këtyre 6 muajve, 485 mjekë brenda klinikave dhe spitaleve publike u infektuan me Covid-19, e 200 prej tyre mbesin raste aktive.

Vetëm 11 të tjerë janë jashtë institucioneve shëndetësore.

Në mesin e mjekëve të cilët po përballen me këtë virus është edhe drejtori i Klinikës së Emergjencës, Basri Lenjani, e cili tash e 6 ditë gjendet në vetizolim bashkë me gruan e tij dhe djalin, të cilët rezultuan pozitivë në testet për Covid-19.

Derisa Lenjani thotë të jetë i shqetësuar me numrin e madh të stafit shëndetësor të cilët po infektohen nga ky virus, bën thirrje që gjatë izolimit të infektuarit të kenë kujdes të shtuar me shëndetin mendor.

Derisa Federata Sindikale e Shëndetësisë numrin e madh të mjekëve që u infektuan gjatë kësaj periudhe e cilëson si shqetësues.

Sipas udhëheqësve të FSSH-së, betejën me Covid-19 po e humbin edhe mjekët të cilët nuk janë drejtpërsëdrejti të lidhur me trajtimin e pacientëve të infektuar.

E më shumë se mjekët gjatë kësaj kohe u infektuan infermierët nga ky virus.

Mbi 700 infermierë rezultuan pozitivë me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Ndërsa numri i lartë i të infektuarve u shënua gjatë korrikut, ku u infektuan 200 infermierë gjatë punës së tyre nëpër klinika e spitale.

Gjatë kësaj periudhe, në mesin e stafit shëndetësor u infektuan edhe 34 farmacistë të infektuar, 14 fizioterapeutë, dhe 13 teknikë të farmacisë.

Ndërsa të enjten, në orën 21:00, në shenjë nderimi për vdekjen e të gjithë mjekëve gjatë kësaj kohe nga Covid-19, Oda e Mjekëve të Kosovës u ka bërë thirrje mjekëve që të ndezin qirinj dhe t’i fikin dritat për 1 minutë.

(Kosova Sot Online)