Versioni i Policisë: 2-vjeçari është gjetur 600 metra larg shtëpisë

  • E.K /
  • 22 August 2020 - 14:43
Versioni i Policisë: 2-vjeçari është gjetur 600 metra larg shtëpisë

Policia e Kosovës njofton se në operacionin e kërkim-shpëtimit kishin angazhuar gjithçka për ta gjetur vogëlushin Tian Krasniqi përfshirë edhe njësitin policor me qen (K-9).

“ Me qëllim të zbulimit të vendndodhjes së fëmijës, stacioni policor Malishevë menjëherë ka organizuar operacionin për kërkim-shpëtim, ku janë angazhuar Komandanti i Stacionit Policor të Malishevës, Zëvendësdrejtori rajonal, Shefi i Operativës Rajonale DRP-Gjakovë, patrullat policore nga Stacioni, NJRKRR si dhe operatorë të NJRSH, njësiti policor me qen (K-9)”, thanë nga Policia e Kosovës.

Poashtu policia thanë se në këtë operacion janë angazhuar edhe ekipi për kërkim shpëtim nga FSK’ja.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Malishevë, me datën 21.08.2020 në ora 20:20 Stacioni Policor në Malishevë përmes telefonit është njoftuar nga personi mashkull kosovar (prindi) se fëmija i tij i lindur më (2018) i gjinisë mashkull, me iniciale ( T.K)  ishte larguar nga shtëpia para dy orëve në drejtim të panjohur. Dyshimet fillestare ishin se fëmija ka hyrë në malin që gjendet afër shtëpisë në fshatin Tërpezë- Komuna e Malishevës. Sipas ankuesit  janë bërë kërkime në shtëpi dhe përreth  por nuk është hasur fëmija. Po ashtu në operacion janë angazhuar Ekipi për Kërkim Shpëtim nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ekipi për kërkim shpëtim nga Zjarrfikësit komunal, si dhe kanë dal në vend ngjarje edhe Nënkryetari i komunës dhe Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim nga KK-Malishevë si dhe banorët e shumtë të fshatit Tërpezë dhe fshatrave tjera së bashku me grupin e vullnetarëve janë vënë në kërkim të  fëmijës të humbur”, kanë thënë nga policia e Kosovës.

Tutje nga PK kanë thënë se vogëlushi është gjetur rreth 600 metra larg shtëpisë.

“Operacioni i filluar më datë 21.08.2020 dhe ka vazhduar pandërprerë deri më datë 22.08.2020 në ora 11:45 kur është gjetur fëmija nga banorët e fshatit dhe ekipet e zyrtarëve nga PK, FSK dhe vullnetarëve të angazhuar në kërkim. Fëmija është gjetur në zonën malore në distancë rreth 600 metra larg shtëpisë dhe menjëherë iu është ofruar ndihma e parë nga ekipi i QKMF Malishevë të cilët kanë qenë të angazhuar në operacion dhe i njëjti i shoqëruar nga prindërit është dërguar në QKMF-Malishevë për ekzaminim mjekësorë. Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile, ndërsa pas kontrollit mjekësorë fëmija është liruar për  në shtëpi”, thanë nga policia.

“Duhet të ceket se bashkëpunimi dhe koordinimi profesional ndërmjet institucioneve gjatë këtij operacioni ka bërë që kërkimi-shpëtimi të rezulton me sukses, poashtu rendësi të veçantë në këtë operacion ka pasur angazhimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve dhe grupeve të vullnetarëve  me udhëheqësit institucional të operacionit, gjë për të cilën u jemi falënderues dhe mirënjohës për angazhimin e treguar”, thuhet tutje.

(Kosova Sot Online)