Greqia dërgon anije dhe avionë të armatosur në zonën e anijeve turke

  • E.K /
  • 24 August 2020 - 10:56
Greqia dërgon anije dhe avionë të armatosur në zonën e anijeve turke

Greqia ka planifikuar të zhvillojë një trajnim me avionë dhe anije të pajisur me raketa në zonën e Egjeut Lindor duke sfiduar në mënyrë të drejtpërdrejtë prezencën e anijeve turke aty.

Mediat greke raportojnë se marina greke ka publikuar sëfundmi një NAVTEX, përmes të cilit njoftohen të gjitha anijet që lundrojnë në atë territor se në zonat e ishujve të Rodosit, Kastelorizos, Kretës dhe Karpathosit do të zhvillohen stërvitje ushtarake, shkruan abcnews.al.

Paralajmërimi hyn në fuqi nesër dhe zgjat dy ditë.

NAVTEX-i i publikuar nga marina greke përfshin edhe zonën ku është duke lundruar aktualisht anija turke “Oruç Reis” dhe grupi i anijeve që e shoqërojnë atë.

Prej disa javësh, në zonë gjenden një numër i madh anijesh ushtarake nga shtete të ndryshme si Franca dhe SHBA-të krahas Turqisë dhe Greqisë.

Tensionet mes dy vendeve kanë rritur shqetësimin në BE dhe SHBA për një konflikt të mundshëm ushtarak duke bërë që ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas të zhvillojë vizita “blic” në Ankara dhe Athinë me qëllim uljen e palëve në tavolinën e negociatave.

(Kosova Sot Online)