Zbulohet sekreti: Ja çfarë po planifikojnë Mustafa, Haradinaj dhe Limaj

  • A.P /
  • 24 August 2020 - 21:23
Zbulohet sekreti: Ja çfarë po planifikojnë Mustafa, Haradinaj dhe Limaj

Isa Mustafa nuk ka fshehur ambiciet për President, Haradinaj veçse e ka shpallur kandidaturën, e Fatmir Limaj, jo vetë, por një këshilltar i tij e ka konsideruar si ‘idealin’ për pozitën e shefit të shtetit. Të gjithë këta që ndajnë ambicien e njëjtë, sot kanë mbajtur takim. Thonë se aty s’është folur për karrigen më të dëshiruar, prej që Thaçit i është afruar fundi i mandatit, e Gjykata Speciale mund t’ia shkurtojë akoma.

Takimin e krerëve të koalicionit qeverisës zyrtari për media i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, e quajti “takim i presidentëve”.

 

Në takim morën pjesë kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ai i AAK’së, Ramush Haradinaj, shefi i Nismës, Fatmir Limaj dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Pas tij thanë se kanë folur vetëm për dialogun me Serbinë, më konkretisht për takimin e caktuar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në Uashington, nën organizimin e Robert O’Brien, Këshilltar për Siguri i presidentit Donald Trump, do të takohen kryeministri Avdullah Hoti me presidentin serb, Aleksandër Vuciq.

Një aktakuzë e dorëzuar nga Prokuroria Speciale e Hagës ndaj peridentit Hashim Thaçi e ka lënë përfaqësuesi i diplomacisëë së Kosovës në hije. Thaçi më nuk po merr pjesë në asnjë takim jashtë vendit, e ka thënë se jep dorëheqje, nëse aktakuza për krime lufte i konfirmohet.

E për ta mbushur karrigen e presidentit tashmë janë shfaqur pretendentët, në mesin e tyre edhe krerët e LDK’së, AAK’së dhe Nismës, apo ‘shefat’ e koalicionit qeverisës. I kanë dhënë Vetëvendosje hapësirë që takimin e sotëm të këtyre liderëve ta thërrasin “Takimi i presidentëve”.

I pari i LDK’së kishte deklaruar se është nder i veçantë që ta mbyllë karrierën politike si president i Kosovës.

“Është një nder i veçantë që dikush ta mbyllë karrierën e vet politike me një përgjegjësi të tillë siç është posti i presidentit”, kishte thënë Mustafa para dhjetë muajsh.

Ndërsa Haradinaj është propozuar tash së fundmi nga partia e tij që ta marrë një përgjegjësi të tillë.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, kishte deklaruar Haradinaj.

E kreu i Nismës, Fatmir Limaj, u propozua për president të vendit nga partia e tij pak minuta para takimit të sotëm.

Pas takimit, Limaj tha se nuk është diskutuar fare për president. Sipas tij, kjo temë është e turpshme derisa Kosova ka president.

Për president të vendit është folur edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli. Edhe propozimin e tij e ka bërë një këshilltar i veti. Sipas Naim Murselit, Pacollin për President, po e kerkojnë qytetarët dhe shoqëria civile.

Jashtë liderëve partiakë, i propozuari i përhershëm është profesori Murat Jashari, si përfaqësues i familjes së komandantit Adem Jashari.

Ndryshe, mandati i Presidentit Thaci përfundon në fillim të vitit 2021. Presidenti i ri duhet të zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës në çerekun e parë të vitit.

Gjykata Speciale ka afat deri në tetor që ta konfirmoj ose ta hedh poshtë aktakuzën ndaj Thacit, pasi ajo është dorëzuar në prill.

Thaçi ka thëne se nëse i konfirmohet e lëshon karrigen, të cilën e mori mes protestash nga opozita e udhëhequr nga Vetëvendosje në vitin 2015.

(Kosova Sot Online)