MSH i përgjigjet Glauk Konjufcës që bëri akuza për licencimin e laboratorëve

  • A.P /
  • 25 August 2020 - 16:33
MSH i përgjigjet Glauk Konjufcës që bëri akuza për licencimin e laboratorëve

Ministria e Shëndetësisë i ka reaguar anëtarit të kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës, i cili sot akuzoi për licencimin e laboratorëve privatë

MSH’ja thotë se Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve që i kanë plotësuar kriteret.

“Ndërlidhur me deklarimin e deputetit Glauk Konjufca, sot  në një konferencë për media, se kinse Ministria e Shëndetësisë ka licencuar për kryerje të testimeve  për Covid-19 laboratorë privat të cilët nuk janë as të regjistruara si biznese, Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se ky bord ka bërë licencimin e vetëm atyre laboratorëve të cilët i kanë plotësuar kriteret”, thuhet në reagim.

Tutje MSH thotë se certifikata e biznesit nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve për COVID-19.

S”a i përket certifikatës së biznesit, ajo nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve covid-19 , duke qenë se institucionet kanë pasur licenca valide si veprimtari dhe ato e kanë pasur për obligim që certifikatën e biznesit ta dëshmojnë në momentin e aplikimit për licencimit të institucionit si tërësi”, thuhet në reagimin e MSH’së.

“Për informim të drejtë, shërbimi i testimit është një shërbim shtesë në kuadër të institucioneve të licencuara edhe më parë për ushtrim të veprimtarive të ndryshme mjekësore. Përndryshe, pa certifikatë të biznesit, ato nuk mund të licencohen për ushtrimin e asnjë veprimtarie shëndetësore”, thekson tutje Ministria e Shëndetësisë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë njëherësh anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, gjatë një konference për media, ka folur për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19 në Kosovë. Ai ka thënë se Qeveria Hoti ka dështuar me mbikëqyrjen e situatës.

Ai tha se ministri Zemaj ka licencuar laboratorë privat për kryerjen e testimeve për Covid-19 e të cilët nuk janë as të regjistruar si biznese.


(Kosova Sot Online)