Mlladiq pritet t’i drejtohet gjykatës në seancën e apelit kundër dënimit për gjenocid

  • E.K /
  • 26 August 2020 - 11:54
Mlladiq pritet t’i drejtohet gjykatës në seancën e apelit kundër dënimit për gjenocid

Ish-lideri ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq pritet t’i drejtohet një gjykate të Kombeve të Bashkuara, në kuadër të seancës së apelit të tij kundër dënimit me burgim të përjetshëm për gjenocid.

Sipas rregullave të gjykatës, Mlladiqit i lejohet t’i drejtohet gjykatës për 10 minuta në fund të ditës së dytë të seancës.

Një ditë më parë, avokati i tij, Dragan Ivetiq i ka thënë gjykatës se Mlladiq nuk është mendërisht i gatshëm të marrë pjesë në këtë seancës.

Ai i ka thënë gjykatës se ekziston rreziku që Mlladiq të përballet me “drejësi të dështuar”.

“Unë nuk jam në gjendje të marrë udhëzime në mënyrë të duhur nga zoti Mlladiq, dhe as të sigurohem se ai është i aftë të marrë pjesë” në procedurë, ka thënë Ivetiq, në seancën e zhvilluar pjesërisht përmes video-konferencës, për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai ka thënë se seanca dyditore, që ka nisur të martën, nuk duhet të vazhdojë pa analizuar gjendjen shëndetësore të 77-vjeçarit.

Mlladiq, i konsideruar si Kasapi i Bosnjës, është dënuar me burgim të përjetshëm më 2017 për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe për rolin e tij në luftën civile në Bosnjë në vitet 1990.

Aty përfshihet gjenocidi i kryer nga forcat e tij të serbëve të Bosnjës në një qytezë të Bosnje-Hercegovinës, Srebrenicë, në mesin e vitit 1995.

Kjo ngjarje përbën vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, meqë aty janë vrarë rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në një seancë të mbajtur muajin e kaluar, ekipi ligjor i Mlladiqit ka thënë se ish-gjenerali mund të jetë duke u përballur me shenja të para të harresës.

Megjithatë, seanca e së martës ka vazhduar pavarësisht kundërshtimeve të avokatit Ivetiq./rel/

(Kosova Sot Online)