Dy personave në Belgjikë e Holandë u rikthehet koronavirusi pasi ishin shëruar

  • E.K /
  • 26 August 2020 - 12:17
Dy personave në Belgjikë e Holandë u rikthehet koronavirusi pasi ishin shëruar

Sipas Euronews, një grua në qytetin belg Leuven u ri-infektua tre muaj pas rastit të saj të parë me COVID-19. Virologu belg, Marc Van Ranst tha se kjo “nuk është një lajm i mirë”

Belgjika dhe Holanda kanë konfirmuar ri-infeksione me koronavirusin e ri (COVID-19) tek pacientë të cilët më parë ishin shëruar nga virusi.

Sipas Euronews, një grua në qytetin belg Leuven u ri-infektua tre muaj pas rastit të saj të parë me COVID-19. Virologu belg, Marc Van Ranst tha se kjo “nuk është një lajm i mirë”.

Euronews raportoi se edhe Marion Koopmans, kreu i Departamentit të virologjisë Erasmus MC, po ashtu konfirmoi një rast të ri-infektuar në Holandë.

Rasti i parë i ri-infektuar në botë u konfirmua të hënën në Hong Kong. Studiuesit në Hong Kong pohuan se një burrë ishte infektuar me COVID-19 për herë të dytë pasi paraprakisht u shërua nga virusi.

Ky është rasti i parë i tillë i dokumentuar nga një ekip studiuesish në Universitetin e Hong Kongut. 33-vjeçari, një IT punonjës, në muajin prill u shërua nga koronavirusi dhe u lëshua nga spitali. Megjithatë, ai përsëri u testua pozitiv kur u kthye nga Spanja muajin tjetër.

Sipas ekipit të studiuesve universitarë, “sekuencat gjenetike treguan se llojet e virusit të kontraktuar prej tij në prill dhe gusht ishin qartë të ndryshëm”.

“Shumë besojnë se pacientët e shëruar nga COVID-19 kanë imunitet kundër ri-infeksionit të tyre, sepse shumica zhvilluan një serum që neutralizon përgjigjen e anti-trupave. Megjithatë, ka prova se disa pacientë kanë dobësuar nivelin e anti-trupave pas disa muajsh”, thanë studiuesit.

“Gjetjet tona sugjerojnë se SARS-CoV-2 mund të vazhdojë në popullatën globale njerëzore, siç është rasti për konaviruset e tjera të zakonshme njerëzore të lidhura me ftohtin, edhe nëse pacientët kanë fituar imunitet përmes infeksionit natyror”, shtuan ata.

Studiuesit thanë se pacientët që u shëruan pas marrjes së koranavirusit po ashtu duhet të mbajnë maska dhe të ruajnë distancën fizike.

Që nga shfaqja për herë të parë dhjetorin e kaluar në Kinë, COVID-19 ka marrë pothuajse 820 mijë jetë njerëzish në mbarë botën. Sipas të dhënave nga Universiteti “Johns Hopkins” me qendër në SHBA, në nivel global rreth 15.6 milionë pacientë janë shëruar nga mbi 23.9 milionë raste të konfirmuara.

(Kosova Sot Online)