Serbia po luan me Kosovën si macja me miun, përcakton edhe agjendën e dialogut edhe në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë

Serbia po luan me Kosovën si macja me miun, përcakton edhe agjendën e dialogut edhe në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë

Gani Qarri

  • 26 August 2020 - 07:45

Shkruan: Gani Qarri

“Me një qeveri të tillë të dobët e plotësisht amatore, jo vetëm se do të përjetojmë një proces shumë të vështirë dhe me kosto të lartë politike, por ajo që në këtë kontest të trishtë, brengosë pafund popullin e Kosovës, është fakti se si pasojë e mos koordinimit të mirëfilltë dhe mungesës së tërësishme të platformës së përbashkët të spektrit politik të vendit,që me kohë do të duhej të ishte diskutuar dhe miratuar në Kuvend, pala kosovare po tregohet aq e dobët dhe e pa fuqishme për të ndikuar,sa që në vend të dominimit në orientimin e dialogut përtej synimeve dhe qëllimeve të palës serbe, ajo pothuajse është bërë tërësisht e papërfillshme për Vuçiqin dhe ai vazhdon, jo vetëm të tallet plot përbuzje me qeverinë koti, por edhe të luaj me shqiptarët, si macja me miun”.

-Tragjedia më e madhe këtij vendi, i ndodhi qysh kur matrapazët dhe kriminelët gjysmë analfabet u vendosën me forcë, manipulime partiake dhe pazare politike, në krye të shtetit të Kosovës,të cilën jo vetëm se e trajtuan si plaçkë dhe vodhën e përvetësuan çdo gjë të vlershme të saj, por edhe e shkatërruan e varfëruan dhe e izoluan nga e gjithë bota.

Deputetët e paturp të Kuvendit të Kosovës, për ti plotësuar dëshirën Grenellit, bënë gabim aq të pafalshëm duke votuar qeverinë koti dhe mundësuar katapultimin e saj me marrëveshje të degjeneruara politike, pretekstin mashtrues kinse për shpëtimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe gjoja hapjen e rrugës për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë,sa që tanimë po shihet hapur se qeveria koti jo vetëm që nuk realizoi asnjërën nga këto premtime, por fatkeqësisht ajo vet, u kthye në levën kryesore, për realizimin e të gjitha qëllimeve të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit në Kosovë, tërësisht siç dëshironte kuislingu Thaçi.

Për aq më keq, qysh nga ardhja e Hotit në krye të qeverisë, Serbia pas realizimit të të gjitha qëllimeve, që para fillimit të bisedimeve,si heqja e taksës dhe reciprocitetit pa asnjë kompensim, edhe rifillimin e tyre me njerëz të pa aftë dhe amator në dialogim,si Hoti ,Skënder Hyseni etj,qeveria serbe është duke e përdorur me mjeshtri edhe për dirigjimin në vazhdimësi të agjendës së dialogut për interesat e saj, duke i shmangur me shumë sukses, të gjitha temat politike dhe vendosur në prioritet vetëm ato të karakterit ekonomik,ngase shteti serb,qëllim parësor dhe interes jetik,nuk e ka njohjen e shtetit tonë, por hapjen e kapitujve të ri me BE-në dhe ruajtjen me çdo kusht të tregut të Kosovës.

Madje edhe në deklaratën më të re të të ashtuquajturit drejtori i zyrës "për Kosovën" në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq u shpreh publikisht, se edhe më 4 shtator në takimin që do mbahet mes palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë,serish në tavolinë nuk do të ketë tema politike, por vetëm ato të karakterit ekonomik,pasi që ky është qëllimi dhe synimi i organizatorit të këtij takimi, që përkon plotësisht me qëndrimin serb, sepse sipas tij, zhvillimi i lirë dhe lëvizja e lirë e njerëzve, kapitalit, mallrat dhe shërbimeve, heqja e barrierave dhe lidhjet më të mira ekonomike është e nevojshme në të gjithë rajonin për zhvillimin e përbashkët”,deklaron ai për mediet serbe.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".