Licenca për laboratorin e vajzës së Blerim Devollit, reagon VV, kërkon informata nga shteti

  • 29 August 2020 - 17:37
Licenca për laboratorin e vajzës së Blerim Devollit, reagon VV, kërkon informata nga shteti

Pas raportimit të djeshëm  për atë se si shteti e ka licencuar për testime PCR laboratorin në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, kanë reaguar nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar nga ARBK informacione të detajuara se kush janë pronarët e vërtetë të institucioneve të licencuara për të kryer testime për COVID-19.

Tre deputetë të kësaj partie, Fitim Uka, Labinotë Demë Murtezi dhe Fitim Haziri kanë kërkuar nga shefja e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) qasje në dokumentacionet e 29 institucioneve të licencuara për testim dhe informacione të detajuara për aksionarët themelues dhe aksionarët e ndryshuar.

Në komunikatën e lëshuar sot për media nga kjo parti kanë pyetur se pse MSH dhe ARBK s’po japin informacione të tilla dhe pse po e mbajnë të fshehtë nga publiku që janë licencuar laboratore në pronësi të personave të lidhur me pushtetin.

“Çfarë po fsheh Ministria e Shëndetësisë kur bëhet fjalë për licencimin e institucioneve private për kryerjen e testimeve për SARS Cov-2? Pse nuk po i bënë publike dhe pse nuk ju ka ofruar deputetëve dosjen dhe dokumentet e kërkuara për të gjitha operatorët e licencuar? Ndërsa ARBK pse nuk bënë publike dhe nuk ju ofron deputetëve informacionet se kush janë aksionarët themelues dhe aksionarët e ndryshuar të këtyre institucioneve private? Apo, si Ministria e Shëndetësisë edhe ARBK duanë të mbajnë larg opinionit publik të vërtetën se përfitues nga vendimi për licencim janë persona të lidhur me pushtetin dhe që fushëveprimi i tyre nuk ka fare të bëjë me aspekte të tilla të shëndetit publik. Ata kanë parë mundësinë e përftimit në fatkeqësinë kolektive siç është pandemia, kurse Qeveria në vend se të mbrojë shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve pa dallim, ajo është vënë në funksion të përfituesve të lidhur me zyrtarë qeveritarë”, thuhet në reagim.

Dje Express ka raportuar se  “Medical & Laboratory Services SH.P.K” është në pronësi të Vlera Devollit, dhe se është i vetmi  laborator që për momentin është duke kryer testime PCR për COVID-19 në Kosovë, pasiqë UBT ende nuk e ka filluar aktivitetin.

Ky laborator në ARBK figuron që është në pronësi të Astrtit Haxhismajlit, megjithatë media ka mësuar se pronësia është ndërruar dhe se pronare është vajza e Blerim Devollit, Vlera Devolli.

(Kosova Sot Online)