Fauci: Testimi i vaksinës mund të përmbyllet më shpejt, nëse ka rezultate pozitive

  • E.K /
  • 02 September 2020 - 11:08
Fauci: Testimi i vaksinës mund të përmbyllet më shpejt, nëse ka rezultate pozitive

Kryeinfektologu amerikan, Dr.Anthony Fauci, ka thënë se vaksina kundër sëmundjes Covid-19 mund të jetë e gatshme më herët sesa është pritur, nëse testimi klinik sjell rezultate shumë pozitive.

Ndonëse dy testime klinike të vaksinës në 30,000 vullnetarë pritet të përfundojnë nga fundi i këtij viti, Fauci tha se një bord i pavarur e ka autoritetin që t’i përfundojë testimet disa javë më herët, nëse rezultatet e përkohshme dalin shumë pozitive apo negative.

“Bordi Monitorues për të Dhëna dhe Siguri do të mund të thoshte se të dhënat janë aq të mira tani për tani, saqë mund të thuhet se vaksina është e sigurt dhe efikase”, tha Fauci.

Sipas tij, shkencëtarët në atë rast do ta kishin detyrim moral që t’i përfundojnë testimet para kohës dhe ta bëjnë të qasshme vaksinën për të gjithë pjesëmarrësit në hulumtim me qëllim të përshpejtimit të procesit për sigurimin e vaksinës për miliona njerëz.

Komentet e Faucit vijnë në kohën kur janë shtuar shqetësimet për atë se a do të ndikojë presioni i qeverisë amerikane që rregullatorët dhe shkencëtarët ta ndryshojnë qasjen ndaj pandemisë.

Ekspertët e vaksinave kanë thënë se kanë frikë që kreu i Shtëpisë së Bardhë është duke bërë presion për miratim të hershëm të një vaksine për të siguruar më shumë përkrahje popullore në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

(Kosova Sot Online)