Çfarë folën Hoti dhe Netanyahu në prezencë të Trump

  • E.K /
  • 05 September 2020 - 11:13
Çfarë folën Hoti dhe Netanyahu në prezencë të Trump

Kryeministri Avdullah Hoti pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë nën prezencën e presidentit Donald Trump, ka pasur një bisedë telefonike nga zyra ovale e Shtëpisë së Bardhë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Presidenti Trump aranzhoi bisedën telefonike mes dy kryeministrave për të biseduar rreth vendimit për njohje të Kosovës nga Izraeli dhe hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Presidenti Donald Trump gjatë bisedës telefonike i ka thënë kryeministrit Izraelit Netanyahu se kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë si dhe se palestinezët janë “kikirikë” krahasuar me luftën që kanë zhvilluar Kosova dhe Serbia.

Më pastaj kryeministri izraelit i cili nuk dëgjohej qartë nga video që ka qarkulluar i ka thënë kryeministrit Avdullah Hoti se e vlerëson vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

“E vlerësoj shumë vendimin e juaj që të hapni ambasadën në Jerusalem dhe mezi presim të bashkëpunojmë. Faleminderit”, ka thënë Netanyahu.

Kurse, kryeministri Hoti e ka falenderuar kryeministrin Netanyahu për njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe është shprehur i gatshëm të takojë atë personalisht.

“Populli i Kosovës dhe Populli i Izraelit ky është vetëm një fillim i bashkëpunimit të mrekullueshëm mes dy shteteve dhe e vlerësoj lartë gatishmërinë tuaj që të lëvizni përpara në njohjen reciproke dhe menjëherë për të vendosur marëdhënie diplomatike mes dy vendeve tona. Ky është një moment historik për popullin e Kosovës dhe unë pres që të takohem me ju kurdo që ju keni kohë. Ky është një vendim shumë i madh për ne. Ne jemi gati për të hapur ambasadën në Izrael dhe jeni i mirëseardhur për të na vizituar”, tha Hoti.

(Kosova Sot Online)