Haradinaj-Stublla dhe Selim Selimi, takim miqësor me ambasadorin Grenell

  • E.K /
  • 05 September 2020 - 15:50
Haradinaj-Stublla dhe Selim Selimi, takim miqësor me ambasadorin Grenell

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi kanë zhvilluar një takim miqësor me të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan në dialogun Kosovë-serbi, Richard Grenell.

Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook ka thënë se e kanë falënderuar ambasadorin Grenell për angazhimin e tij në këtë proces.

“E falënderuam për angazhimin e jashtëzakonshëm të tij për të mbajt lartë në agjendën amerikane Kosovën dhe interesat e saj ekonomike, duke mos harruar të angazhohet edhe për forcimin e subjektivitetit tonë, siç është njohja historike nga shteti i Izraelit”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Ajo ka thënë se tani do të kërkojnë angazhim të shtuar edhe nga ndërmjetësi evropian në mënyrë që pesëshja e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, ta bëjë një gjë të tillë.

“Tani me të drejtë – Kosova do të kërkojë angazhim të shtuar edhe nga ndërmjetësi evropian, specifikisht për njohjet nga pesëshja e BE-së. Do të punojmë fort ditëve në vijim për të forcuar më tutje këtë drejtim të ri të shtetit tone”, ka përfunduar kryediplomatja kosovare.

(Kosova Sot Online)