Vendi me 25 milionë banorë rezervon 85 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 09:28
Vendi me 25 milionë banorë rezervon 85 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19

Autoritetet australiane kanë thënë se do t’i sigurojnë gati 85 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, nëse rezultatet e dy testimeve dalin të suksesshme.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, tha se vendi i tij ka arritur dy marrëveshje që do ta mundësojnë shpërndarjen e vaksinës falas vitin e ardhshëm, nëse vërtetohet se vaksina është e sigurt për përdorim.

Sipas shefit të qeverisë australiane, këto dy marrëveshje arkës së shtetit do t’i kushtojnë 1.7 miliard dollarë australianë ose rreth 1.24 miliard dollarë amerikanë, shkruan BBC.

Kështu, 25 milionë banorët e Australisë do të mund ta fillonin marrjen e vaksinës nga janari, por për këtë nuk ka garanci, bëri të ditur kryeministri Morrison.

“Megjithatë, marrëveshjet e vendosin Australinë në krye të radhës, nëse ekspertët tanë mjekësorë ia japin vaksinës dritën e gjelbër”, shtoi ai.

Njëra vaksinë që është përfshirë në marrëveshje është duke u zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca, ndërsa vaksina tjetër është duke u zhvilluar nga Universiteti i Queensland-it.

Australia ka shifra relativisht të ulëta të personave të infektuar dhe të vdekur nga Covid-19 në krahasim me shtetet me numër të përafërt të popullsisë. Deri më tani, në vendin e largët janë regjistruar 769 viktima dhe mbi 26,000 të infektuar me koronavirus.

(Kosova Sot Online)