Jo vetëm në det, Turqia zhvendos edhe tanket drejt kufirit me Greqinë

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 10:37
Jo vetëm në det, Turqia zhvendos edhe tanket drejt kufirit me Greqinë

Zgjidhja diplomatike vazhdon që të jetë e largët mes Turqisë dhe Greqisë, për çështjen e kontrollit në Detin Mesdhe. Së fundmi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar sërish Greqinë me “përvoja të dhimbshme” duke ju referuar luftës mes dy vendeve 100 vite më parë. Erdogan ka theksuar se nëse Greqia nuk hyn në bisedime me Turqinë mbi pretendimet e diskutueshme territoriale në Mesdheun Lindor, atëherë pasojat kanë për të qenë shumë të rënda.

“Ata ose do të kuptojnë gjuhën e politikës dhe diplomacisë, ose në terren me përvoja të dhimbshme,” tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të shtunën referohet Euronews.

“Ata do të kuptojnë se Turqia ka fuqinë politike, ekonomike dhe ushtarake për të grisur hartat dhe dokumentet imorale të vendosura”, shtoi në fjalën e tij të ashpër Erdogan, duke iu referuar zonave të shënuara nga Greqia dhe Qipro si zonat e tyre ekonomike detare.

Një gazetë turke ndërkohë ka raportuar se tanke turke po zhvendosen drejt kufirit grek.

Turqia po përballet me një gamë të gjerë kundërshtarësh në Mesdheun Lindor. Franca, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dërguar të gjitha forcat për t’u bashkuar me manovrat luftarake. Egjipti ka nënshkruar gjithashtu një marrëveshje kërkimi të energjisë me Athinën për Mesdheun. Bashkimi Evropian, i cili numëron Greqinë dhe Qipron si anëtare, ka kërcënuar gjithashtu sanksione të mundshme kundër Ankarasë për veprimet e saj “të paligjshme”.

(Kosova Sot Online)