Ambasadori italian tregon se sa muaj do të qëndrojë ekipi mjekësor ushtarak në Kosovë

  • E.K /
  • 07 September 2020 - 12:16
Ambasadori italian tregon se sa muaj do të qëndrojë ekipi mjekësor ushtarak në Kosovë

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando ka pritur dje ekipin mjekësor ushtarak nga Italia, që do të ndihmojë Kosovën në luftën me COVID-19.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Orlando ka bërë me dije se ata do të këshillojnë autoritetet e Kosovës për përballje me pandeminë për dy muaj.

 “Dje mirëprita ekipin mjekësor ushtarak nga Italia që do të këshillojë autoritetet e Kosovës për përgjigjen ndaj coronavirusit për dy muajt e ardhshëm. Puna me partnerët lokalë tashmë ka filluar. Jam krenar për partneritetin tonë”, ka shkruar Orlando në Twitter.

Media  ka raportuar se ekipi mjekësor ushtarak italian ka arritur të premten në Kosovë.

Lajmin për media  e kishtea konfirmuar dje zëdhënësja e Ambasadës së Italisë në Kosovë, Arjeta Halitaj.

Ajo kishte bërë me dije se shumë shpejt do të organizojnë një konferencë për media lidhur me këtë çështje.

“Ekipi i mjekëve sot ka mbërritur në Kosovë dhe shumë shpejt do të organizojmë një konferencë për media”, kishte thënë Halitaj.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pjesë e këtij ekipi do të jenë katër mjekë.

Ndryshe, ditë më parë, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar nga Italia që të dërgojë profesionistë shëndetësor, veçanërisht mjekë të reanimacionit dhe anesteziologë për të ndihmuar vendin në luftën me COVID-19.

Një kërkesë të tillë, Zemaj e ka bërë në një takim që ka pasur me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Zemaj kishte njoftuar se kanë bërë marrëveshje me palën italiane për sjelljen e disa mjekëve dhe kishte falenderuar Italinë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën gjatë këtyre viteve.

“Kërkova që Italia të na ndihmojë duke na dërguar profesionistë shëndetësor, veçanërisht mjekë të reanimacionit, anesteziolog, që me përvojën e tyre të na mbështesin në këtë kohë të pandemisë. Javë më parë ne kemi bërë marrëveshje përkatëse me palën italiane për sjelljen e disa mjekëve në Kosovë për të ndihmuar në përballje me Covid19”, kishte shkruar Zemaj.

(Kosova Sot Online)