Zemaj: Do t’i japim policisë një udhëzues për maska për t’i mbrojtur qytetarët nga dënimet

  • A.P /
  • 07 September 2020 - 15:53
Zemaj: Do t’i japim policisë një udhëzues për maska për t’i mbrojtur qytetarët nga dënimet

Ministria e Shëndetësisë së shpejti do t’i japë Policisë së Kosovës një udhëzuar rreth vendeve ku duhet të vendosen maskat e ku jo.

Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Zemaj tha se kjo do të bëhet për t’i mbojtur qytetarët nga dënimet, si dhe për të lehtësuar punën e Policisë.

“Ministria e Shëndetësisë do të ju ofrojë institucioneve të rendit një udhëzues praktik për vendet ku është e nevojshme të barten maskat e ku jo, për të lehtësuar punën e tyre, por edhe për të ruajtur qytetarët nga dënimet e ndryshme, pasi ka pasur ankesa që duhet të saktësohen dhe qytetarët të njoftohen rreth vendosjes së maskave”, ka deklaruar Zemaj

Javën që lamë pas, mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se qytetarët nuk duhet të dënohen nëse nuk kanë të vendosur maskën në vendet publike ku nuk ka frektuentim të madh të njerëzve, e as në veturë kur janë vetëm apo të shoqëruar me familjarë.

“Nuk duhet dënuar kur je në veturë, as në ambient të jashtëm (në natyrë) kur je vetëm apo me familje”, ka deklaruar Raka.

Bartja e maskës është bërë e obligueshme që nga data 14 korrik, si masë mbrojtëse nga COVID-19. 

Të gjithë personat që nuk e respektojnë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, dënohen me 35 euro gjobë.


(Kosova Sot Online)