Serbia po vazhdon me avazin e vjetër, paralajmërohen ushtrime të përbashkëta me ushtrinë e Putinit dhe Lukashenkos

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 09:55
Serbia po vazhdon me avazin e vjetër, paralajmërohen ushtrime të përbashkëta me ushtrinë e Putinit dhe Lukashenkos

Po raportohet se forcat ushtarake ruse dhe serbe do të shkojnë në Bjellorusi midis datës 10 dhe 15 shtator. Megjithatë, nuk jepen detaje të tjera për këtë çështje.

Pikërisht në kohën kur Bjellorusia është duke u përballur me protesta të dhunshme e të përditshme kundër Presidentit Alexander Lukashenko, dy shtetet që shpeshherë krijojnë trazira, kanë vendosur që mbajnë ushtrime të përbashkëta në këtë shtet.

Në mes tensionesh mes qytetarëve dhe qeverisë që u zgjodh muajin e kaluar, mediat serbe po raportojnë se formacionet ushtarake Bjelloruse, Ruse dhe Serbe do të marrin pjesë në një stërvitje të përbashkët ushtarake në Bjellorusi, raporton agjencia e lajmeve RIA, duke iu referuar njoftimit të sotëm në faqen e internetit të Ministrisë Bjelloruse të Mbrojtjes.

Më 11 gusht, Bashkimi Evropian miratoi një Deklaratë mbi zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, duke deklaruar se qytetarët e Bjellorusisë “treguan një dëshirë për ndryshim demokratik” gjatë fushatës zgjedhore, por që “zgjedhjet nuk ishin as të lira as të drejta”. Serbia është një nga vendet që u bashkua me Deklaratën e BE.

Prej javësh, njerëzit kanë protestuar kundër regjimit që ka qeverisur vendin për thuajse 3 dekada.

Dhjetëra mijëra qytetarë ka dy muaj që kanë përfshirë rrugët e Bjellorusisë, duke u përleshur me policinë, në protesta kundër Presidentit Aleksander Lukashenko. Një kordon i madh policor vazhdimisht mbron zona të ndryshme si Sheshi i Pavarësisë në kryeqytetin Minsk, ndërsa Ministria e Brendshme raporton se gjatë gjithë kohës ka arrestime.

Nga ana e tij, presidenti Lukashenko ka deklaruar se nuk do të lejojë një revolucion në vendin e tij.

(Kosova Sot Online)