Kolesnikova grisi pasaportën në kufi për të shmangur dëbimin me forcë në Ukrainë

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 10:55
Kolesnikova grisi pasaportën në kufi për të shmangur dëbimin me forcë në Ukrainë

Opozitarja Maria Kolesnikova grisi pasaportën e saj në kufi të Ukrainës për të shmangur dëbimin me forcë nga vendi i saj.

Kështu kanë deklaruar Anton Rodnenkov dhe Ivan Kravtsov, të cilët janë dëbuar nga forcat e sigurisë së vendit.

Por Rodnenkov dhe Kravtsov, gjithashtu anëtarë të lëvizjes opozitare në Bjellorusi, thonë se Kolesnikova ia doli të rezistojë.

“Kolesnikovën e shtynë në sediljen e pasme dhe bërtiti se nuk kishte ndër mend të ikte askund”, tha Rodnenkov gjatë një konferencë për shtyp të martën në Ukrainë.

“Kur pa pasaportën e saj në makinë, ajo menjëherë e grisi dhe e flaku jashtë dritares”.

Kolesnikova, anëtare e këshillit koordinues të opozitës, një forcë e krijuar nga opozita për të lehtësuar bisedimet me presidentin Alexander Lukashenko, u ndalua të hënën në Minsk.

“Lëvizje e zgjuar”

Të martën, ata janë çuar drejt kufirit ku autoritetet i kanë thënë që të kalojnë kufirin drejt Ukrainës. Kolesnikova nuk pranoi dhe qëndroi në pjesën bjelloruse të kufirit.

Por Rodnenkov dhe Kravtsov shkuan drejt Ukrainës.

“Maria Kolesnikova është një heroinë. Pas 12 orësh marrje në pyetje – nuk është e qartë se ku – ajo vazhdoi të kërkonte drejtësi dhe avokatin e saj”

“Me sa kuptova ajo është marrë nga shërbimet sekrete”.

“Kur Maria ishte në kufi ajo grisi pasaportën që të mos kishte asnjë mundësi ligjore për të kaluar jashtë shtetit. Ishte një lëvizje shumë e zgjuar”.

Një zëdhënës i Komitetit të Rojeve Kufitare të Bjellorusisë, Anton Bychkovsky, konfirmoi se Kolesnikova është ndaluar dhe po mbahet nga autoritetet bjelloruse po nuk ka folur mbi ngjarjen në kufi.

Bjellorusia, teksa përpiqet t’i japë fund demonstratave prej një muaji, ka përdorur taktika të ngjashme për të detyruar figurat opozitare që të largohen nga vendi.

(Kosova Sot Online)