Rusia pas kërkesave të G7-ës: Dezinformata masive për rastin e Navalnyt

  • E.K /
  • 09 September 2020 - 14:20
Rusia pas kërkesave të G7-ës: Dezinformata masive për rastin e Navalnyt

Moska ka akuzuar shtetet e Grupit të shtatë vendeve më të Industrializuara (G7), për “fushatë masive të dezinformimit”, me qëllim të rritjes së mbështetjes për sanksione rreth rastit të helmimit të kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Lideri opozitar, 44-vjeçar është duke u trajtuar në një spital në Berlin, pasi i është përkeqësuar gjendja në Siberi muajin e kaluar.

Mjekët gjermanë kanë thënë se ai i është ekspozuar agjentit nervor të kategorisë ushtarake, Noviçok.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse është thënë se “sulmet pabazë ndaj Rusisë janë duke vazhduar” në kohën e “qasjes jokonstruktive të autoriteteve gjermane”.

Aty është thënë se “histeria rreth këtij rasti vetëm po rritet”, dhe se “detyra kryesore nuk është kujdesi për shëndetin e Navalnyt, apo zbulimi i arsyeve të vërteta për hospitalizim, mirëpo mobilizimi për sanksione”.

Deklaratat e ekspertëve gjermanë se Navalny është helmuar me agjent të grupit Noviçok, kanë nxitur thirrje ndërkombëtare për Rusinë që të nisë sa më shpejt hetimet për këtë rast.

Më 8 shtator, ministrat e jashtëm të G7-ës kanë dënuar “helmimin e konfirmuar” të Navalnyt dhe kanë kërkuar që Rusia të dënojë ata që qëndrojnë mbrapa këtij akti.

Autoritetet ruse deri më tani kanë refuzuar që të nisin hetime penale për këtë rast.

Në mesin e kritikëve të Kremlinit që janë vrarë apo shënjestruar në vitet e fundit janë edhe gazetarja hulumtuese, Anna Politkovskaya, ish-zyrtari rus për siguri, Aleksandr Litvinenko, ish-zëvendëskryeministri rus, Boris Nemtsov, dhe agjenti i dyfishtë rus, Sergei Skripal.

Skripal dhe vajza e tij janë helmuar me Noviçok në Sallsbëri të Britanisë më 2018.

Hetuesit britanikë kanë thënë se agjencitë ruse të sigurisë kanë qenë të përfshira në këtë sulm.

(Kosova Sot Online)