Hartohet Projektligji i Shërbimit Korrektues të Kosovës

  • E.K /
  • 10 September 2020 - 12:10
Hartohet Projektligji i Shërbimit Korrektues të Kosovës

Grupi Punues për Hartimin e Projektligjit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe nën udhëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së Nehat Thaçi, e ka përfunduar hartimin e këtij projektligji.

I tërë aktiviteti i grupit punues ishte në funksion të plotë të përmbushjes së obligimeve të cilat dalin nga Plani i Punës së Qeverisë së Kosovës për vitin 2020-2021 dhe Programi Legjislativ për vitin 2020.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës me ketë Projektligj synon që të arrijë objektivat e saj me qëllim të avancimit dhe zhvillimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si një mekanizëm i rëndësishëm në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Përmes këtij rregullimi ligjor, po ashtu synohet të ketë efekt edhe në ngritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, e veçanërisht në SHKK-në si njëri ndër institucionet me rendësi vitale për korrektimin dhe risocializimin e të burgosurve që të njëjtit pas përfundimit të burgut ti kthehen familjes dhe shoqërisë si qytetar të dobishëm”, thuhet në komunikatën e SHKK-së.

Shërbimi Korrektues i Kosovës e vlerëson se rregullimi i fushëveprimtarisë, kompetencave, organizimit të brendshëm, reformimin dhe avancimin sa më lartë të  Shërbimit Korrektues të Kosovës është njëkohësisht në funksion të krijimit të kushteve për trajtimin e të burgosurve sipas standardeve vendore dhe ndërkombëtare.

(Kosova Sot Online)