Kush i nominoi SHBA’në, Kosovën dhe Serbinë për çmimin Nobel për Paqe?

  • E.K /
  • 11 September 2020 - 15:13
Kush i nominoi SHBA’në, Kosovën dhe Serbinë për çmimin Nobel për Paqe?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova dhe Serbia janë nominuar për çmimin Nobel për Paqe, pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Iniciativën për nominimin e qeverive të këtyre shteteve për këtë çmim e ka marrë deputeti i Partisë Kristian Demokrate në Suedi, Magnus Jacobsson. Ai sot ia ka dorëzuar nominimin Komitetit norvegjez të Nobelit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Jacobsson përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter.

“Prandaj dua që të nominojë Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Serbinë për Çmimin Nobel për Paqe, pasi që përmes kësaj marrëveshjeje synohet eliminimi i rrezikut për konflikte të reja në Ballkan dhe ka afrim drejt paqes dhe njohjes reciproke”, thuhet në dokumentin e publikuar nga Jacobsson.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar të premten, marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan më 3 shtator në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Normalizimi i raporteve nis me transportin ajror, hekurudhor e rrugor

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Thuhet edhe se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.

(Kosova Sot Online)