ShBA-ja dhe Izraeli kundër rezolutës për menaxhim të koordinuar botëror të pandemisë

  • E.K /
  • 12 September 2020 - 10:44
ShBA-ja dhe Izraeli kundër rezolutës për menaxhim të koordinuar botëror të pandemisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë votuar kundër një rezolute të Kombeve të Bashkuara, me të cilën kërkohej menaxhim i koordinuar dhe gjithëpërfshirës i pandemisë Covid-19.

Agjencia AFP raportoi se në këtë rezolutë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë i njihej roli udhëheqës, që mund të ketë shkaktuar pakënaqësi te Shtetet e Bashkuara.

Kjo rezolutë u përkrah nga 169 shtete nga 193 sa kishin të drejtë vote, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në rezolutë thuhet se njihet roli udhëheqës dhe kyç i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për menaxhim të koordinuar dhe gjithëpërfshirës të situatës me pandeminë Covid-19.

Shtetet e Bashkuara në pranverë vendosën që të tërhiqen nga OBSh-ja, duke e akuzuar këtë organizatë për keqmenaxhim të situatës dhe vonesë për ta paralajmëruar botën rreth rrezikut.

Para votimit të kësaj rezolute, Shtetet e Bashkuara u përpoqën ta largonin një parafrap për mbrojtjen e grave në fushën e shëndetit riprodhues për shkak të ankesave rreth abortit, por dështuan ta arrijnë qëllimin.

Largimin e  këtij paragrafi e kërkuan edhe Libia dhe Iraku. Megjithatë, 120 shtete votuan që paragrafi të mbetet në rezolutë, ndërsa 25 të tjera abstenuan.

(Kosova Sot Online)