Shoqja e klasës i infektohet me Covid-19, futet në karantinë princesha spanjolle

  • E.K /
  • 12 September 2020 - 11:11
Shoqja e klasës i infektohet me Covid-19, futet në karantinë princesha spanjolle

Princesha Leonor, trashëgimtarja e fronit spanjoll, është futur në karantinë pasi një shoqe e klasës në shkollën ku ajo e ndjek mësimin doli pozitive në testin për Covid-19.

Vajza 14-vjeçare e Mbretit Felipe do të testohet për koronavirus njësoj si nxënësit e tjerë të klasës në shkollën “Santa Maria de los Rosales” në Madrid, shkruan Reuters.

Një zëdhënës i familjes mbretërore tha se mbreti dhe mbretëresha Letizia do t’i vazhdojnë detyrat mbretërore tash për tash, në kohën kur Spanja po përpiqet ta kontrollojë rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit.

Tetë milionë fëmijë u kthyen në shkolla në Spanjë javën e kaluar, por disa shkolla ende janë të mbyllura ose janë mbyllur pas rihapjes pasi disa nxënës dolën pozitivë në testin për koronavirus.

Autoritetet lokale në Galici e shtyen datën e fillimit të vitit shkollor për një javë për nxënësit e moshës nga 14 deri 18-vjeçare.

Të premten, Spanja i regjistroi 4,708 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar në 566,326 shifrën e përgjithshëm të personave të prekur, që është numri më i madh në Evropën Perëndimore.

Numri i përgjithshëm i personave të vdekur ka shkuar në 29,747, që gjithashtu është një ndër shifrat më të larta në Evropë.

(Kosova Sot Online)