PDK edhe më e ashpër me Hotin: E firmosi bashkëpronësinë e Ujmanit me Serbinë

  • E.K /
  • 12 September 2020 - 15:43
PDK edhe më e ashpër me Hotin: E firmosi bashkëpronësinë e Ujmanit me Serbinë

PDK ka kritikuar ashpër kryeministrin Hoti për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë për normalizim ekonomik me Serbinë.

PDK thotë se 100 ditëshi i kryeministrit është i dështuar.

“Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve tonë nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane. Krahas kësaj, Qeveria Hoti dështoi t’i dalë në ndihmë ekonomisë dhe qytetarëve të vendit duke mos përmbushur as për së afërmi premtimet për rimëkëmbje ekonomike. Mijëra punëtorë po rrezikojnë vendet e tyre të punës, ndërsa qindra biznese janë afër kolapsit si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia dhe paaftësisë së kësaj qeverie. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë”, thuhet në reagimin e PDK’së.

Tutje partia opozitare ka thënë se Hoti pranoi ndarjen e pronësisë së Liqenit të Ujmanit me Serbinë.

“Dështimi në qeverisjen e brendshme u karakterizua me dështimin në politikën e jashtme javën që shkoi, ku delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington. Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit. Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë. Ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën”, thuhet në reagim.

(Kosova Sot Online)