Ministrja e Jashtme shpalos bisedën me ambasadorët, tregon çfarë i kanë njoftuar

  • E.K /
  • 14 September 2020 - 14:09
Ministrja e Jashtme shpalos bisedën me ambasadorët, tregon çfarë i kanë njoftuar

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka publikuar detaje të bisedës që kanë pasur sot në videokonferencën me ambasadorët.

Kryediplomatja e Kosovës ka shkruar në Facebook se së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti kanë pasur sot një videokonferencë me Ambasadorët e Republikës së Kosovës që janë në misione diplomatike nëpër botë.

“I informuam rreth marrëveshjes së arritur në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë nën garancën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si hap i madh pararendës drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke. Diskutuam pikat e marrëveshjes së Uashingtonit që ndërlidhen me fushëveprimin e MPJD-së, në veçanti njohjen historike nga Izraeli, dhe implementimin i kësaj marrëveshjeje ditëve në vijim”

“I falënderova Ambasadorët tanë për punën e tyre të mirë përkundër gjendjes pandemike dhe masave të kufizimit. Ju kërkova atyre dinamikë të shtuar të veprimit diplomatik në proklamimin e të vërtetës së Kosovës, dhe proaktivitet në vendet pritëse që të shfytëzojmë momentumin e krijuar për të krijuar ura të reja miqësie me synimin e shtimit të njohjeve për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

Detaje për këtë videokonferencë kanë publikuar edhe nga Qeveria përmes një njoftimi për media.

(Kosova Sot Online)