Trumpi dhe Bideni përplasen rreth zjarreve, çështja bëhet temë fushate

  • E.K /
  • 15 September 2020 - 10:08
Trumpi dhe Bideni përplasen rreth zjarreve, çështja bëhet temë fushate

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e cilësoi presidentin e tanishëm të këtij shteti, Donald Trump, si ndezës të klimës për shkak të refuzimit për ta pranuar rolin e ngrohjes globale në zjarret që janë përhapur në pjesën perëndimore të vendit. Në anën tjetër, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se menaxhimi i dobët i pyjeve është shkaktar i këtyre zjarreve.

Zjarret janë përhapur në tri shtete – Oregon, Kaliforni dhe Uashington – që nga gushti dhe deri më tani janë prekur rreth 1.8 milion hektarë. Nga zjarret kanë vdekur së paku 36 persona dhe janë shkatërruar mijëra shtëpi, shkruan Reuters.

Përhapja e zjarreve ka bërë që edhe ajri në këtë pjesë të Shteteve të Bashkuara të ketë nivele të dëmshme të tymit dhe materieve të rrezikshme, ndërsa qielli ka marrë ngjyrë të portokalltë. Kjo gjendje e ka rënduar edhe më shumë krizën e shëndetit publik të shkaktuar nga koronavirusi.

Zjarrfikësit kanë thënë se beteja me zjarret ende nuk ka përfunduar. Meteorologët kanë parashikuar mot me shi dhe rrufe gjatë kësaj jave, që mund të sjellë ndihmë për zjarrfikësit. Zyrtarët gjithashtu presin që numri i viktimave të rritet për shkak se dhjetëra persona janë të zhdukur.

Në Kaliforni, së paku 25 persona kanë vdekur nga zjarret që nga mesi i gushtit, ndërsa në Uashington është regjistruar një viktimë. Më shumë se 6,200 shtëpi dhe struktura të tjera janë shkatërruar, sipas shifrave zyrtare nga të trija shtetet.

(Kosova Sot Online)