Unicef: Gjysma e fëmijëve të botës ende larg shkollës shkaku i pandemisë

  • E.K /
  • 16 September 2020 - 09:53
Unicef: Gjysma e fëmijëve të botës ende larg shkollës shkaku i pandemisë

Rreth 872 milionë fëmijë apo gjysma e nxënësve në mbarë botën ende nuk kanë mundësi ta zhvillojnë procesin mësimor në shkollë për shkak të pandemisë së koronavirusit, bëri të ditur organizata Unicef.

Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara, tha se shkollat i kanë mbyllur dyert në 192 shtete në kulmin e pandemisë, duke i lënë në shtëpi 1.6 miliardë nxënës.

“Miliona fëmijë kishin fat që të mësojnë nga largësia përmes internetit, televizorit ose radios. Megjithatë, të dhënat e Unicef-it tregojnë se së paku 463 milionë fëmijë, shkollat e të cilëve u mbyllën gjatë pandemisë Covid-19, nuk e kanë pasur këtë mundësi”, tha zyrtarja e lartë.

“Numri i tillë i fëmijëve, shkollimi i të cilëve u pengua plotësisht për muaj të tërë, nuk është asgjë më pak se emergjencë globale në fushën e arsimit”, shtoi ajo.

Shumë vende tashmë i kanë rihapur shkollat për vitin e ri shkollor, por procesi mësimor është duke u zhvilluar nën masa të rrepta, duke përdorur maska dhe duke e respektuar distancën fizike mes nxënësve.

(Kosova Sot Online)