Irani paralajmëron pasoja të rënda për Emiratet dhe Bahrejnin pas marrëveshjes me Izraelin

  • G.G /
  • 16 September 2020 - 12:07
Irani paralajmëron pasoja të rënda për Emiratet dhe Bahrejnin pas marrëveshjes me Izraelin

Irani i ka paralajmëruar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin se do të përballen me pasoja të rënda, të cilat, sipas këtij vendi, do të rrjedhin nga nënshkrimi i marrëveshjeve për normalizim raportesh me Izraelin.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, i kritikoi ashpër udhëheqësit e dy vendeve arabe për marrëveshjen me Izraelin dhe i akuzoi ata se e kanë harruar borxhin ndaj popullit palestinez.

“Si mundët t’i shtrinit duart Izraelit? E pastaj dëshironi t’u japim baza në rajon? Të gjitha pasojat e rënda që do të dalin nga kjo janë mbi ju”, tha Rouhani gjatë një deklarate të transmetuar në televizion.

Ai foli disa orë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara, Abdullah bin Zayed Al-Nahyan, dhe ministri i Jashtëm i Bahrejnit, Abdullatif al-Zayani, u takuan në Uashington për të nënshkruar marrëveshje të paqes.

Ky pakt i normalizon marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes tri vendeve dhe paraqet ndryshim të konsensusit të vendeve arabe që krijimi i shtetit të pavarur palestinez të jetë kusht për çfarëdo afrimi me Izraelin.

Egjipti dhe Jordania janë shtetet e vetme arabe që e kanë njohur Izraelin, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Udhëheqësit palestinezë e kanë kundërshtuar ashpër marrëveshjen e arritur mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara dhe Bahrejnit.

(Kosova Sot Online)