Rexhep Selimi thotë se në Uashington Kosova i fali Serbisë shumëçka

  • E.K /
  • 17 September 2020 - 11:52
 Rexhep Selimi thotë se në Uashington Kosova i fali Serbisë shumëçka

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në hapjen e sesionit vjeshtor të Kuvendit ka bërë një përmbledhje të kritikave të partisë së tij ndaj kryeministrit Avdullah Hoti.

Selimi thotë se në negociatat që u zhvilluan së fundmi, Hoti ndërmori veprime që Kosova të mos jetë e barabartë me Serbinë.

“Hoti jo vetëm që pranoi, por edhe veproi që Kosova të mos jetë e barabartë me Serbinë”.

Deputeti i LVV’së është ankuar sërish për mosmbajtje të zgjedhjeve në Kosovë.

“Në pikun e pandemisë, i lejoi zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, ndërsa bashkë me Thacin i pengoi të mbahen zgjedhjet në Kosovë”, ka thënë Selimi.

Ai ka numëruar pikat që, sipas tij, Hoti me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingotoni, Kosova ia fali Serbisë disa të mira.

“Edhe pse kishte premtuar se nuk do të nënshkruante asgjë pa pyetur Kuvendin, nënshkroi dokumentin me zotime, ku përfshihen koncesione ndaj Serbisë si heqja dorë nga pika në letër për njohje reciproke Kosovë –Serbi, krijimi i korridoreve për dalje të Serbisë në Adriatik, ndarja e Ujmanit të Kosovës në Serbi, pranimi i të ashtuquajturit Minishengenit, që LDK e quante dikur mini-Jugosllavi”, ka thënë Selimi. 

Ai më pas e ka kritikuar Qeverinë Hoti edhe për menaxhimin e pandemisë Covid – 19.

(Kosova Sot Online)