Avokati Arianit Koci pas dënimit të Shukri Bujës thotë se procesi kishte shkelje, paralajmëron ankesë

  • E.K /
  • 18 September 2020 - 10:51
Avokati Arianit Koci pas dënimit të Shukri Bujës thotë se procesi kishte shkelje, paralajmëron ankesë

Ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, sot është dënuar me dy vite burgim nga Gjykata Themelore. Sipas avokatit të tij, Arianit Koci, kishte shumë shkelje në këtë proces gjyqësor dhe ka paralajmëruar ankesë.

Për këtë, avokati i tij, Arianit Koci ka deklaruar se Gjykata nuk i kishte dhënë kohë të duhur për t’u përgatitur për rastin pas seancë së fundit. Sipas tij, Gjykata nuk i ka përfillur rekomandimet e Apelit,

“Në këtë vendim kemi shkelje të natyrës procedurale dhe atë materiale. Natyrisht se do të ushtroj ankesë. Nga ana e Gjykatës së shkallës së parë nuk janë përfillur rekomandimet e Gjykatës së Apelit.”

Avokati Arianit Koci renditi edhe ankesën se ju ishte refuzuar mbrojtjes kërkesa për prova të reja, madje sipas tij nuk është arritur të dëshmohet se klienti i tij kishte synim të kryente krim.

“Na është refuzuar kërkesa për prova të reja, dhe nuk janë nxjerre prova për të vërtetuar dashjen e klientit tim. Për më tepër, janë shkelur edhe të Drejtat e Mbrojtjes”, ka deklaruar avokati Koci.

(Kosova Sot Online)