Vdes gjykatësja e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg

  • S.A /
  • 19 September 2020 - 08:33
Vdes gjykatësja e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg

Gjykatësja e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara dhe ikona për mbrojtjen e të drejtave të grave, Ruth Bader Ginsburg, ka vdekur nga kanceri në moshën 87-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e saj u dha nga Gjykata Supreme përmes një deklarate, në të cilën thuhet se Ginsburg vdiq nga kanceri i pankreasit në shtëpinë e saj në Uashington, e rrethuar nga familja.\

Më herët gjatë këtij viti, gjykatësja e ndjerë kishte njoftuar se do t’i nënshtrohet kimioterapisë për shkak të rishfaqjes së kancerit, shkruan BBC.

Ajo ishte feministe e njohur dhe u bë figurë kryesore e liberalëve në Shtetet e Bashkuara. Ginsburg ishte gjykatësja më e vjetër dhe gruaja e dytë në histori që ka qenë pjesë e Gjykatës Supreme, ku shërbeu për 27 vjet.

Si një nga gjykatëset liberale të këtij organi, shëndeti i Ginsburgut është përcjellë për së afërmi. Vdekja e saj e sjell në pah përpjekjen e presidentit Trump për zgjerimin e shumicës së dobët konservatore në grupin e gjykatësve edhe para zgjedhejve të nëntorit.

Sipas burimeve brenda Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump pritet që për pozitën e gjyqtares së ndjerë ta nominojë një gjykatës konservator sa më shpejt që është e mundshme.

Ginsburgut i ishte shfaqur pesë herë kanceri. Ajo është trajtuar në spital disa herë viteve të fundit, por ishte kthyer shpejt në vendin e punës në të gjitha rastet.

(Kosova Sot Online )