Lexoni edhe:
Çfarë ndodhi me të vërtetë natën kur u fundos Titaniku? Hulumtimi më i ri hedh dritë mbi misterin
Kryeministri Avdullah Hoti sot e ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani. Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Hoti me Mizutanin kanë biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend dhe për raportet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Përveç që e ka përgëzuar Hotin për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, ambasadori japonez e ka shprehur mbështetjen për Kosovën, veçanërisht në rimëkëmbjen ekonomike. Hoti ndërkaq, e ka përmendur furnizimin me maska nga Japonia në vlerë prej 640 mijë eurosh dhe sigurimin e terapisë antivirale për 100 pacientë, me vlerë prej afro 1 milion euro.
“Ambasadori Akira Mizutani e përgëzoi Kryeministrin Hoti për lidershipin e tij, për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë që mund të shpjerë në rritje të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, ai theksoi mbështetjen e Japonisë për proceset aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në mbështetjen për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë, siç është furnizimi me maska mbrojtëse, nëpërmjet UNICEF-it, më vlerë 640.000 euro, si dhe sigurimi i terapisë antivirale nga Japonia për 100 pacientë, me vlerë prej 810.000 euro”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
“Japonia është e përkushtuar ta mbështesë Qeverinë e Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike”, theksoi ambasadori Mizutani. Në këtë kontekst, u dakordua që të organizohet një konferencë ekonomike virtuale në mes Japonisë dhe Kosovës, e cila do të mbahet së shpejti.
Hoti e njoftoi ambasadorin Mizutani për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, përkushtimin në rimëkëmbjen ekonomike si pasojë pandemisë COVID -19, për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë, si dhe për orientimin euroatlantik të Kosovës.
Me këtë rast, Hoti e falënderoi shtetin e Japonisë për përkrahjen e vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, duke thënë se është në interes të dy vendeve dhe popujve tanë vazhdimi i thellimit të këtij bashkëpunimi në fusha të interesit reciprok.
(Kosova Sot Online)