Aeroplani amerikan nga Lufta e Dytë Botërore del në pah pas shkrirjes së akullnajës në Islandë

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 11:03
Aeroplani amerikan nga Lufta e Dytë Botërore del në pah pas shkrirjes së akullnajës në Islandë

Një bombardues amerikan nga koha e Luftës së Dytë Botërore është gjetur në Islandë 76 vjet pasi ishte rrëzuar gjatë fluturimit drejt Anglisë.

Aeroplani i tipit “B-17 Flying Fortress” kishte fluturuar mbi akullnajën Eyjafjallajokull në jug të Islandës më 16 shtator 1944.

Për fat të mirë dhe në mënyrë të pabesueshme, të gjithë dhjetë anëtarët e ekuipazhit kishin shpëtuar, por mbetjet e aeroplanit ishin “gëlltitur” nga akullnaja, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Sot, nën ndikimin e ngrohjes globale, aeroplani luftarak u rishfaq. Ndonëse i shkatërruar, ai jep një pamje mahnitëse të së kaluarës.

Banorët lokalë, si ish-kryetari i Isafjorourit, Guomundur Gunnarsson, i shohin mbetjet e këtij aeroplani si atraksion turistik dhe i kanë kundërshtuar thirrjet për largimin e tyre nga vendi i rrëzimit.

Në vitin 1996, forcat ajrore amerikane kishin treguar hollësi për këtë aksident të vjetër. Aeroplani ishte duke fluturuar drejt Anglisë pasi ishte lëshuar në aeroportin Keflavik për t’u rimbushur me karburant.

Megjithatë, moti ishte i lig dhe aeroplani u përfshi nga një erë para se të përplasej në akullnajë. Për fat të mirë, aeroplani kishte rënë në borë të butë. Njëri nga krahët i ishte këputur dhe motori kishte marrë flakë.

Ushtarët amerikanë nuk e dinin ku ndodheshin dhe vendosën të ecnin drejt një ultësire, ku ishin ndihmuar nga fermerët lokalë.

(Kosova Sot Online)