Serbët me ekip që do të punojë 24 orë me amerikanët për implementimin e marrëveshjes së Washingtonit

  • E.K /
  • 23 shtator 2020 - 11:59
Serbët me ekip që do të punojë 24 orë me amerikanët për implementimin e marrëveshjes së Washingtonit

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit në Serbi një ditë pas hapjes së zyrës së DFC-së amerikane në Beograd, ka krijuar një ekip special që do të punojë 24 orë me Korporatën amerikane për realizimin e projekteve të dala nga marrëveshja e Washingtonit.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Zorana Mihajlovic, pas takimit që ka pasur me përfaqësues të DFC-së dhe EXIM, shkruan tanjug.

Në këtë takim është folur për autostradën Nish-Merdare-Prishtinë  dhe gjithashtu edhe për hekurudhën dhe gjithashtu edhe për projekte të tjera rajonale në të cilat do të punohet.

“Ne duam të kemi një realizim të projekteve shumë shpejtë dhe që rezultatet që i kemi t’ua ofrojmë qytetarëve”, ka thënë Mihajlovic.

Ambasadori amerikan, Anthony Godfrey, është shprehur i kënaqur që ka marrë pjesë në këtë takim të sotëm mes zyrtarëve serbë me përfaqësues të DFC dhe EXIM, duke thënë se Ministria serbe e Infrastrukturës ka shprehur gatishmëri dhe  vizion për të punuar në projektet për lidhjen e rajonit.

 “Ne jemi të gatshëm të punojmë me ministrinë e Infrastrukturës, për të pasur rezultatet që do të përmirësojnë standardin e jetesës në rajon”, ka thënë Godfrey.

Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe Marko Gjuriq.

(Kosova Sot Online)