4 mësimdhënës në Fushë Kosovë të infektuar me COVID-19, të tjerë pritet të testohen

  • E.K /
  • 23 September 2020 - 11:13
4 mësimdhënës në Fushë Kosovë të infektuar me COVID-19, të tjerë pritet të testohen

Katër mësimdhënës të shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Kështu ka bërë të ditur për Express, zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, i cili tha se deri më sot janë testuar gjithsej 50 mësimdhënës të kësaj shkolle, ndërsa pritet të ketë edhe më shumë testime.

“Sipas informacioneve që i kemi deri tash janë testuar 50 mësimdhënës të shkollës ‘Mihal Grameno’. Gjithsej i kemi 4 mësimdhënës të infektuar me COVID-19”, tha Topalli.

Ai foli edhe për gjendjen shëndetësore të mësimdhënësve, të cilët aktualisht janë mirë me shëndet dhe nuk kanë ndonjë përkeqësim apo simptomë, shkruan Gazeta Express.

“Informacionet që i kemi marr deri dje pasdite është se ata nuk kanë asnjë simptomë ose përkeqësim të gjendjes shëndetësore, do të thotë janë në vetizolim por që gjendja e tyre nuk është aspak shqetësuese”, tha Topalli.

Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj kishte njoftuar se mbi 1,500 mësimdhënës në gjithë territorin e Kosovës do të testohen për koronavirus.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë mbi 23 mijë.

(Kosova Sot Online)