A po bllokohet dialogu? Hoti thotë se nuk diskuton për Asociacionin

  • E.K /
  • 24 September 2020 - 11:41
A po bllokohet dialogu? Hoti thotë se nuk diskuton për Asociacionin

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të diskutohet në dialogun me Serbinë.

Mbajtja e raundit të radhës të dialogut Kosovës – Serbise, i planifikuar të mbahet më 28 shtator në Bruksel, është vënë në pikëpyetje. Shkak për këtë është raportuar të jetë refuzimi i institucioneve të Prishtinës për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por për Hotin, marrëveshja e vitit 2013 është çështje e kryer dhe nuk do të rihapet më, ndërsa ka shtuar se nuk e di nëse takimi i paralajmëruar për 28 shtator do të anulohet.

“Kjo temë nuk diskutohet, sepse është e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe më pastaj marrëveshja tjetër e parimeve më 2015, që në fakt e përmirëson marrëveshjen e vitit 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut. Nuk e di a do tëmbahet takimi në Bruksel. Do të shohim në ditët e ardhshme”, ka thënë Hoti.

Ai ka ripërsëritur se Kosova është e angazhuar që ta çojë përpara procesin e dialogut me Serbinë.

(Kosova Sot Online)