Kosova sërish në duar të Amerikës dhe fundi i ëndrrave të Beogradit

Kosova sërish në duar të Amerikës dhe fundi i ëndrrave të Beogradit
Kosova sërish në duar të Amerikës dhe fundi i ëndrrave të Beogradit

Rexhep Shahu

  • 24 September 2020 - 07:53

Shkruan: Rexhep Shahu

“Nuk mund të zvarritet dialogu pafundësisht, nuk mund të rrije rajoni si kërmill në vete dhe të ushqehet me urrejtjen e vet. Unë besoj fort se Amerika nga që i ka gjithë instrumentet politikë e diplomatikë dhe ushtarakë do të nxisë e yshtë fuqishëm aleatët e saj që çështja Kosovë të mbyllet, të bëhen njohjet e duhura dhe të ndodhemi para faktit të kryer. Duke e çliruar kështu prej anktheve e maktheve Politiken në Beograd që ka mbetur peng në të shkuarën e largët dhe lufta që u bë nga Amerika e NATO për dëbimin e saj nga Kosova i duket si ëndërr”.

-Vizita e Richard Grenell, me delegacionin prej 13 zyrtarësh të tjerë të lartë amerikanë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit, vizitë si vijim i punës për zbatimin e marrëveshjes aktuale të firmosur në Shtëpinë e Bardhë në Vashington, edhe për përshpejtimin e procesit të dialogut Kosovë - Serbi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, pra kjo vizitë në Kosovë është një lajm aq entuziast e pozitiv.

Amerika e mori sërish fuqishëm në dorë Kosovën, investimin e saj politik e ushtarak. Amerika beson në qeverinë e drejtuesit aktual të Kosovës, beson dhe i konsideron partner të besueshëm për zbatimin e projektit të saj madhor për ndalimin, stopimin apo kthimin mbrapsht të ndikimit rus, kinez, turk apo arab në Kosovë, ndikime për qëllime konjukturiale që të cenojnë interesat strategjike amerikane në rajonin ku Amerika para tri dekadash pati caktuar vijën e kuqe në Kosovë përmes presidentit Bush i parë. Amerika tani përmes Grenellit dhe ekipeve zyrtare të saj të mirë koordinuara do të mbushë gjithë vakancat, gjithë dobësitë, gjithë mungesat që kanë lënë qeveritë shqiptare të Prishtinës gjatë dy dekadave të lirisë. Njohja e Kosovës nga Izraeli, fascilitimi që i bëri presidenti amerikan Trump kryeministrit të Kosovës Hotit që ky të fliste me kryeministrin e Izraelit, ende nga shumëkush në Kosovë mbetet tekst i palexuar mirë, por në fakt është krye lajm politik për shumë e shumë kohë. Me Marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, me vizitën e këtij delegacioni të gjerë me 13 zyrtarë të lartë të udhëhequr nga Grenell, po vërtetohet se Kosova tashmë nuk është në faqet e fundit të gazetave por ka dalë sërish në faqen e parë”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".