Gani Geci thotë se në Hagë u pyet edhe për vrasjen e Adem Jasharit

  • E.K /
  • 24 September 2020 - 11:59
Gani Geci thotë se në Hagë u pyet edhe për vrasjen e Adem Jasharit

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka qenë i ftuar mbrëmë në emision, ku ka folur rreth intervistimit të tij në Dhomat e Specializuar të Gjykatës Speciale në Hagë.

Geci ka treguar se atje është pyetur edhe rreth vrasjes së Komandatit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit.

“Po, iu ka interesu vrasja e Adem Jasharit. M’kanë pyet prej A deri në Zh. Dmth ju ka interesu si, qysh”, ka thënë Geci.

I pyetur nga gazetari Berat Buzhala, nëse ata janë interesuar pë raportet mes Adem Jasharit, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, Geci ka thënë se ka pasur interesim për raportet mes tyre.

Sipas Gecit, as Thaçi e as Selimi nuk kanë pasur raporte të mira me Adem Jasharin. Këtë thotë se e di më së miri Bashkim Jashari, i cili ka qenë në dijeni se kush ka hyrë e ka dalë nga oda e tyre para se Adem Jashari të vritej.

“Te dytë ata nuk i kanë pas punët mirë me Adem Jasharin. Këtë më së miri e di Bashkim Jashari, i cili është gjallë dhe ka qenë tërë kohën në odën e vetë dhe i ka pritë mysafirët dhe e ka parë se kush ka hyrë e kush ka dalë gjithë kohës para se komandanti legjendar të vritet. Ata kanë qenë të interesuar jashtëzakonisht me i ditë raportet e të gjithëve me të gjithë. Unë nuk kam najfarë mundësie që të flas më tepër, por raportet e të gjithëve me të gjithë. Dmth sikur raportet e mia e të tjerëve me Adem Jasharin, Adem Jasharit me të tjerët, prej gjithë Shtabin e Përgjithshëm, kanë qenë të interesuar që t’i dijnë”, ka deklaruar Geci në Pressing.

Ndërkohë, thotë se për luftën Kosovë-Serbi nuk kanë qenë të interesuar të dijnë.

“Faktikisht nuk kanë qenë të interesuar që të dijnë për luftën Kosovë-Serbi, sepse unë kam tregu që luftën e kemi bërë ashtu siç kemi mund. Luftën me Serbinë e kemi ba ashtu sa kemi ditë dhe sa kemi pas fuqi. Fuqia jonë nuk ka qenë aq e madhe, prandaj edhe kemi mbërri me marr fuqinë e NATO’s për me intervenu”, ka thënë ish-deputeti.

(Kosova  Sot Online)