Vrau të riun në kazino, dënohet me burgim të përjetshëm ish-polici nga Suhareka

  • E.K /
  • 24 September 2020 - 13:32
Vrau të riun në kazino, dënohet me burgim të përjetshëm ish-polici nga Suhareka

Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata në Prizren për vrasjen e të riut Jetmir Aliaj në Suharekë.

Shefki Spahiu, në kohën kur ndodhi vrasja, ishte rreshter në Policinë e Kosovës. Ngjarja ka ndodhur më 17 mars 2019 në një kazino në rrugën e Reshtanit në Suharekë. Pas të shtënave me armë, mbeti i vdekur, 32-vjeçari, Jetmir Aliajn, i cili ishte punëtor i kazinosë. 

Sipas aktakuzës, pasi që Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock” që ishte arma zyrtare, dhe të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Më 30 korrik, i akuzuari, Shefki Spahiu për herë të parë është deklaruar për ngjarjen e ndodhur më shumë se 1 vit më parë.

Express, vitin e kaluar ka raportuar se ish-rreshteri i policisë Shefki Spahiu ishte i njohur mirë për skandale, vite më parë rëndonin akuza se kishte dhunuar dy vajza të mitura e edhe se kishte falsifikuar dokumente e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare. 

(Kosova Sot Online)