Qindra të arrestuar në ditën e pesëdhjetë të protestave në Bjellorusi

  • E.K /
  • 28 September 2020 - 10:13
Qindra të arrestuar në ditën e pesëdhjetë të protestave në Bjellorusi

Policia bjelloruse ka arrestuar qindra persona dhe kanë përdorur gaz lotsjellës e granata shoku gjatë protestave kombëtare pasi kryengritjet kundër presidentit Lukashenko vazhduan për të pesëdhjetën ditë me radhë.

Në kryeqytetin Minsk, rreth 100,000 persona i mbushën rrugët të dielën duke valëvitur flamuj kuq e bardhë të opozitës në shfaqjen më të re të pakënaqësisë që nga koha kur Lukashenko u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht.

Protestuesit u dëgjuan duke i brohoritur fjalët “fashist” dhe “turp” përderisa u përballën me shtypjen e madhe të forcave policore, shkruan Free Europe.

Disa protestues në Minsk filluan të shpërndahen pas orës 18, kur filloi të binte shi. Megjithatë, shumë njerëz vazhduan të qëndronin në Rrugën e Pavarësisë, duke e bllokuar pjesërisht atë.

Ministria e Brendshme tha se janë ndaluar rreth 200 persona në mbarë vendin. Megjithatë, një grup për të drejtat e njeriut i publikoi emrat e 341 personave të ndaluar gjatë ditës.

Lukashenko u inaugurua si president më 23 shtator në një ceremoni të fshehtë, e cila i nxiti vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të dalin me deklarata se nuk e njohin legjitimitetin e tij.

(Kosova Sot Online)