Shpërndarësi i picave merr 12 mijë dollarë bakshish për një arsye prekëse

  • A.P /
  • 28 September 2020 - 23:58
Shpërndarësi i picave merr 12 mijë dollarë bakshish për një arsye prekëse

Një shpërndarës picash 89-vjeçar u befasua kur mori një bakshish prej 12,000 dollarësh.

Derlin Newey as nuk e kishte menduar çfarë e priste të martën në mëngjes kur familja Valdez trokiti në derën e shtëpisë së tij në Utah.

"Si mund t’ju falënderoj ndonjëherë? Nuk di çfarë të them", tha Newey ndërsa mezi mbante lotët e gëzimit.

Newey shpërndan pica për Papa John's rreth 30 orë në javë. Ai i tha për kanalin KSL se e filloi punën pasi e kuptoi se nuk mund të përballonte faturat.

Përveçse shpërndarës picash, Newey është gjithashtu një yll në rritje i TikTok falë disa klientëve besnikë të frymëzuar nga mirësia e tij.

Familja Valdez tha se gjithmonë kërkonin atë kur porosisnin pica dhe filluan të regjistronin dërgesat e tij si video të TikTok në kanalin e tyre @vendingheads.

"Është çmenduri. Të gjithë e duan atë," tha Carlos Valdez. Familja thotë se fraza e tij nënshkruese me çdo dërgesë është, "Përshëndetje, a po kërkoni pica?" Prandaj gjatë surprizës ata mbanin një bluzë ku shkruhej kjo frazë.

Llogaria ka më shumë se 53,000 ndjekës, të cilët shpesh pyesin pse Newey shpërndan pica në moshën e tij. Familja pranoi që ai nuk duhet të punonte aq shumë dhe vendosi të përdorë platformën e tyre për të siguruar disa të ardhura për të.

Ata u kërkuan ndjekësve të tyre të bënin një donacion për të ndihmuar Newey dhe paratë filluan të shtoheshin. Shumë shpejt arritën të mblidheshin 12,000 dollarë. Gjatë surprizës ata i paraqitën një çek të nënshkruar nga "Familja e tij TikTok".

Newey u kap plotësisht i befasuar. Ai madje nuk e dinte se çfarë ishte TikTok, por ishte mirënjohës për bekimin e papritur.

"Unë nuk di çfarë të them, përveçse faleminderit," tha Newey.

(Kosova Sot Online)