Franca do ta ndalojë përdorimin e kafshëve të egra në cirqe

  • E.K /
  • 29 September 2020 - 15:40
Franca do ta ndalojë përdorimin e kafshëve të egra në cirqe

Ministrja e Mjedisit e Francës, Barbara Pompili, tha se vendi i saj do ta ndalojë gradualisht përdorimin e kafshëve të egra në cirqe.

Gjatë një konference për gazetarë, ajo tha se tranzicioni do të zgjasë disa vjet dhe cirqet ekzistuese të kafshëve do të kenë përkrahje nga qeveria për t’u shndërruar në një model të ri.

“Sot, njoftoj për fundin progresiv të pranisë së kafshëve të egra në cirqet e udhëtimeve, ndalimin e pranisë së orkave dhe delfinëve në mjedise të papërshtatura ndaj nevojave të gjitarëve detarë dhe ndalimin e kultivimit të vizonit për lëkurën e tij”, tha ajo.

Ministrja tha se këto masa do t’i prekin rreth 80 cirqe, të cilat i kanë rreth 230 kafshë, përfshirë macet e mëdha, elefantët, ujqit dhe disa lloje tjera, shkruan Reuters.

Shteti do të ofrojë një pako ndihmëse prej më shumë se 8 milionë eurosh për t’i ndihmuar cirqet që të shndërrohen në një model të ri biznesi.

Rreth 20 shtete evropiane tashmë e kanë ndaluar ose kufizuar praninë e kafshëve të egra në cirqe. Në Francë, shumë qytetet nuk lejojnë vendosjen e tendave me kafshë të egra në zonat e tyre.

(Kosova Sot Online)